Gazeta Si – Shilton nuk e fal Maradonën: 8 mln për atë fanellë? As pjatat nuk do fshija me të
Pas më shumë se 30 vitesh dhe 1 vit pas vdekjes së tij, Peter Shilton nuk e fal Diego Armando Maradonën. Kapiteni i Anglisë në Meksikë ’86 dhe protagonisti tjetër i njërit prej episodeve që kanë lënë shenjë në historinë e futbollit, ‘la Mano de Dios’, ka folur edhe tani që ai gol është kthyer në qendër të vëmendjes, pasi një blerës anonim shpenzoi 8.4 milionë euro për fanellën e Maradonës.
Në një intervistë për ‘The Sun’, ish-portieri është shprehur: “Atë ditë nuk do ta shkëmbeja fanellën me Maradonën për gjithë arin e botës. Nuk do ta përdorja as për të fshirë pjatat”.

Fenellën e asaj ndeshjeje argjentinasi e shkëmbeu me anglezin Steve Hodge, i cili e shiti në ankand për një shifër rekord: “Nëse unë, apo të tjerët do ta dinim se Hodge kishte fanellën e Maradonës në dhomat e zhveshjes, me siguri nuk do të dilte që aty, do ta kishim bërë copë”, – ka shtuar Shilton.
“Vë bast se Steve është i lumtur që nuk përfundoi kështu. E dinte mirë atë që po bënte, prandaj dhe nuk tha asgjë. Dhe jam i kënaqur që të paktën një anglez ka marrë diçka në atë ndeshje. Është një lloj drejtësie poetike për një Botëror që na e vodhën.
Isha kapiten në atë ndeshje dhe ndihem keq sa herë që e shikoj. Doja vetëm të fitoja Botërorin, nuk mendoja fare për të shkëmbyer fanellën me Maradonën. Duke parë atë që bëri Hodge, ndoshta duhet ta bëja… Edhe pse gjatë viteve e kemi sharë të gjithë që shkëmbeu fanellën me dikë që na e kishte bërë hile”, – ka përfunduar Shilton.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




