Të rinjtë e kualifikuar nga Ballkani Perëndimor përbënin edhe për 2018-ën numrin më të madh të profesionistëve që emigruan drejt Gjermanisë. Shifrat janë më alarmante në Bosnje Hercegovinë, ku ekspertët paralajmërojnë jo vetëm për “ikjen e trurit” por edhe për rrudhjen e popullsisë.
Sipas Zyrës Federale të Statistikave Gjermane, numri i emigrantëve ekonomikë nga vendet e Ballkanit Perëndimor ka arritur në 66.000 persona në vitin 2018. Shifrat janë edhe më tronditëse nëse krahason me vitin 2015, kur numri i profesionistëve që zgjidhte Gjermaninë ishte 13.000.
Qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës përbëjnë një të tretën e këtyre emigrantëve, por nuk mbeten pas as profesionistët nga Shqipëria dhe Kosova. “Thithja” e tyre në tregun gjerman të punës u bë edhe më masive pas rregullave të reja të punësimit, sipas të cilave, shtetasit e Ballkanit Perëndimor mund të punësohen brenda një periudhe më të shkurtër, pa pasur nevojë të dorëzojnë diplomat ose certifikata e kualifikimit.
Ç’po ndodh në Bosnje?
Kur një politikan boshnjak njoftoi krijimin e 100,000 vendeve të reja të punës, rrjetet sociale shpërthyen me ironi duke thënë se gjysma e bonjakëve do të kenë ikur deri atëherë jashtë vendit.
Politika e Gjermanisë për thithjen e punëtorëve të kualifikuar duket se ka zbrazur Bosnjën. Radha përpara ambasadës gjermane në Sarajevë është e gjatë, pavarësisht tekave të motit. Ashtu si qytetarët e tjerë në rajon, edhe shumë boshnjakë duan të provojnë fatin e tyre në Gjermani.
Anel Vojić ka pritur 17 muaj në radhë dhe nuk ka ndërmend të dorëzohet. Ai është diplomuar për ekonomi, por edhe pse është 32 vjeç, thotë se nuk ka gjetur ende punë në profesionin e tij.
"Bosnja po bëhet gjithnjë e më ë korruptuar dhe nuk shoh ndonjë shpresë këtu", thotë ai. Me një rrogë prej 250 eurosh, ai thotë se është lodhur nga puna si banakier dhe dëshiron të provojë fatin e tij në Gjermani.
Për të dhe për shumë të tjerë, kjo mund të bëhet më e lehtë në të ardhmen. Gjermania ka hartuar një rregullore të re për të përshpejtuar përpunimin e aplikacioneve për punë nga Ballkani.
Damir Kapidžić, profesor në Universitetin e Sarajevës, thotë se aktualisht boshnjakët duhet të presin rreth tetë muaj për marrjen e vizave, në varësi të llojit të aplikimit, por se kjo periudhë pritet të përgjysmohet pas miratimit të rregullave të reja. "Sa njerëz mendoni se do të kenë mbetur në Bosnjë pas 15 apo 20 vjetësh? Gjatë verës, është e vështirë të gjesh punëtorë ndërtimi, elektricistë apo edhe infermierë”, thotë ai. Sipas Kapidzic. politikanët boshnjakë nuk kanë gjetur ende një recetë për të parandaluar këtë eksod masiv.
Ambasada gjermane në Sarajevë është tashmë një nga zyrat më të mëdha gjermane të vizave në botë. Numri i vizave të lëshuara u rrit nga 7.400 në vitin 2016 në mbi 14.100 në vitin 2018. I vetmi vend që ia kalon Bosnjës për kërkesat për punë në Gjermani është Libani.
Arsyeja e dyfishimit të numrit të profesionistëve ballkanas që kanë zgjedhur të punojnë në Gjermani është miratimi i një ligji në vitin 2016 (Westbalkan-Regelung) i cili bën të mundur punësimin e emigrantëve nga rajoni pa dorëzimin e diplomave apo certifikatave të punës.
Përveç kësaj, rregullorja e re që po shqyrton Bundestangu gjerman, e cila pritet të hyjë në fuqi në fillim të vitit të ardhshëm, bën të mundur tanimë edhe njohjen e kualifikimeve profesionale, të ngjashme me njohjen e diplomave universitare. Kapidziv paralajmëron se ky është një lajm i keq jo vetëm për Bosnjë Hercegovinën por për mbarë Ballkanin Perëndimor.
Sipas tij, kur vendet e rajonin të jenë bërë pjesë e Bashkimin Europian, gjysma e fuqisë punëtore do të ketë emigruar drejt Gjermanisë dhe vendeve të tjera Perëndimore.
“Në Bosnjë, më shumë se 5 mijë infermierë janë larguar brenda tre vitesh. Ky vrull, do të mund të shkaktojnë shkatërrimin e sistemit shëndetësor", thotë profesori.
Radha e Shqipërisë?
Ikja e trurit, pra emigrimi i individëve të aftë dhe të arsimuar në kërkim të vendeve të punës me paga më të larta ose të kushteve më të mira, është padyshim një nga plagët e reja sociale në Shqipëri dhe rajon.
Në një studim të botuar kohët e fundit nga Gallup për ikjen e trurit, vendet e Ballkanit Perëndimor renditen të parat në Europë. Ai tregon se 42% e qytetarëve të Kosovës dëshirojnë të largohen nga vendi, duke e renditur Prishtinën të parën në Europë dhe të tretën në botë. Në Shqipëri dhe Bosnje dhe Hercegovinë 32% e qytetarëve duan po ashtu të largohen nga vendi për një jetë më të mirë.
Eskpertët paralajmërojnë se anëtarësimi në BE ka të ngjarë ta përkeqësojë këtë plagë sociale, pasi heqja e barrierave kufitare ndaj Ballkanit, mund të çojë drejt vërshimit të popullsisë drejt vendeve të zhvilluara europiane. Sektori më i ndjeshëm duket se është ai i shëndetësisë.
Trazirat politike dhe ekonomike në vitet 1990, dhe papunësia e lart ka bërë që vendet e Ballkanit Perëndimor te kenë pak fonde për të shpenzuar për kujdesin shëndetësor. Kushtet e punës janë të dobëta dhe pajisjet mjekësore moderne të pakta.
"Ne po humbim ekspertët tanë më të mirë", thotë Zoran Saviç, president i Sindikatës së Mjekësorë të Serbisë. "Mjekë të rinj pritë të zënë vendet e tyre, por duhet një minimum prej 10 vjetësh për të edukuar një mjek të specializuar".
Mjekët ankohen për punë jashtë orarit të papaguar dhe paga të ulëta. Infermieret paguhen mesatarisht nga 250 deri ë 400 euro në vendet e Ballkanit Perëndimor, krahasuar me pagën minimale prej 1,500 eurosh në Gjermani
Spitalet gjermane prej vitesh kanë hapur dyert për të huajt, të gjendur përballë një emergjence të pakurueshme; mungesën e stafit.
Edhe shqiptarët nuk janë indiferentë përballë ligjit të ri gjerman për shkak të potencialit që ofrojnë në sektorin e kujdesit shëndetësor. Ministri gjerman Shëndetësisë, Jens Spahn deklaronte në tetor se të rinjtë nga Shqipëria dhe Kosova mund të ndihmojnë vendin e tij që të mbushë 50 mijë vendet vakante në shëndetësi. Ndërkohë qeveria gjermane është ndër mbështetëset dhe financueset kryesore të zhvillimit të arsimit profesional në vendin tonë, gjatë viteve të fundit.
Spahn ka njoftuar se forcat e nevojshme për kujdesin shëndetësor në vendin e tij do të trajnohen tanimë jashtë Gjermanisë dhe ka siguruar tanimë një shumë prej 9 milionë eurosh për këtë projekt. Në praktikë do të thotë që Gjermania të shkollojë në vend vetëm fuqinë punëtore për të cilën ka nevojë, me qëllim që ata ta lenë përgjithmonë vendin e tyre.
Në Tiranë, të dhënat e Urdhrit të Mjekut flasin mesatarisht për 150 kërkesa në vit nga mjekët shqiptarë për t`u larguar drejt Gjermanisë, çka bën që në 4 vitet e fundit të jenë larguar mbi 500 mjekë. Për infermierët, ndërkohë, numri është bindshëm më i lartë, pasi flitet për rreth 3000 të larguar.
Tregu shqiptar është një parajsë e vërtetë për Gjermaninë, pasi rreth 6000 infermierë janë të papunë për shkak të raportit të zhdrejtë prej vitesh ku diplomohen trefish më shumë se sa nevojat e tregut. Kjo është arsyeja përse profesionistët e shëndetit po mësojnë gjermanishten. As politikat e reja të qeverisë shqiptare për të stimuluar ekonomikisht mjekët që punojnë në rrethe, duket se nuk kanë pasur efekt në zhbërjen e dëshirës për t`u larguar nga vendi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.