Treg

Shifrat / Transporti ajror dhe detar u rritën gjatë 2024-s

Nga Gazeta ‘SI’ – 69 mijë fluturime janë raportuar në Shqipëri gjatë vitit 2024, me rritje 34% nga një vit më parë.

Vetëm për tremujorin e katërt 2024, kanë udhëtuar me linja ajrore më shumë se 2.3 milionë pasagjerë nga 1.89 mln që kanë udhëtuar në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke u rritur me 26.2%.

INSTAT raporton se në tremujorin e fundit të 2024-s në Shqipëri operonin vetëm 18 linja ajrore, nga 28 që ishin gjatë sezonit veror. Vetëm 1 nga këto ishte shqiptare.

Për volumin e mallrave, rezulton se përgjatë tremujorit të katërt të vitit 2024 volumi i mallrave (duke përfshirë postën) të hyrë dhe të dalë nëpërmjet transportit ajror rezultoi 625 ton.

Transporti detar ka pësuar po ashtu rritje, me rreth 1.6 mln pasagjerë dhe më shumë se 2 milionë tonë mallra në 1 vit. Numri i anijeve të hyra dhe të dala nga portet në vend rezulton 266 anije, nga këto 235 anije janë të huaja dhe 31 anije vendase.

Porti i Durrësit është pika kryesore e transportit detar në vend dhe mban më shumë se 90% të volumit të mallrave import/eksport. Volumi gjithsej i mallrave të transportuara nga porti i Durrësit është rritur me 15.4% në tremujorin e katërt të vitit.

INSTAT tregon se transporti hekurudhor vijon të ecë me hapa shumë të vogla, funksional vetëm për transportin e disa mineraleve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë