Futboll

Shifra rekord, Real Madrid marrëveshje 1.1 miliardë euro me Adidas

Në futbollin e sotëm ka garë në fushën e blertë, por më e rëndësishme po bëhet ajo jashtë fushe, në arkat e klubeve. Real Madrid pasi ka fituar çdo duel në fushë, tashmë është koha që të fitojë terren edhe në tregjet financiare. Klubi “Los Blancos” nuk ka bërë një sezon të mirë deri në këto momente, por kjo nuk i pengon drejtuesit që të kërkojnë për t’u bërë klubi më i pasur në botë. Fundja kur këtë status për momentin e ka Mançester Junajtid, kërkesa e klubit madrilen është mëse ligjitime.

Për të nisur këtë rrugë drejt të bërit klubi më i pasur në botë, Real Madrid çdo gjë e ka filluar nga sponsori i fanellave. Gazeta spanjolle, “Marca” shkruan se Real Madrid ka nisur negociatat për të firmosur kontratën e re me firmën gjermane të veshjeve sportive, Adidas. Bëhet fjalë për një kontratë me shifra rekord. Kontrata e re parashikon një fitim prej 110 milionë euro në vit për klubin madrilen, pra një total prej 1.1 miliardë eurosh në 10 vite. Ky është përfitimi minimal që Real Madrid ka pretenduar, pasi kërkesa në fillim ka qenë për 150 milionë euro në sezon.

Në momentin kur kjo kontratë do të firmoset do të bëhet automatikisht më e madhja e firmosur nga një klub futbolli në botë. Kështu ky rinovim do të thoshte ndër të tjera që vijon një nga bashkëpunimet më të vjetra mes një kompanie dhe një klubi futbolli. Adidas është sponsor i Real Madrid që nga viti 1998. Adidas është firma e veshjeve që ka mbështetur më gjatë klubin madrilen, pasi edhe para vitit 1998 kishte qenë sponsor, por me një shkëputje disa vjeçare për t’u rikthyer pastaj dhe ta mbështesë deri më tani.

Siç raporton “Marca”, Adidas nuk kishte qene marka e vetme e interesuar për të lidhur kontratën me “Los Blancos”. Edhe Nike me Under Armour kishin shprehur interesimin për të firmosur me klubin madrilen, por nuk arritën dot në shifrën e ofruar nga marka gjermane.

Në momentin e fillimit të tratativave, kërkesa e Real Madrid ishte shumë e thjeshtë, të veshësh tre herë kampionët e Europës kushton dhe ajo markë që dëshiron të ketë logon e saj, duhet të paguaj goxha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë