Ngjarje

‘Shifra përtej përtej çdo pritshmërie’, Rama dhe Ministrat tregojnë planin e masave për sigurinë e turistëve

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka njoftuar se flotës së Policisë në aeroportin e Rinasit, do t’i shtohen edhe 100 policë të tjerë. Kjo, thotë se për shkak të fluksit të madh që po përballet aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës.

Në Konferencë Kombëtare “Për sigurinë e turizmit në Shqipëri”, Balla nënvizoi se Rinasi raporton 900 mijë pasagjerë më shumë se viti i kaluar.

“Raporton 900 mijë pasagjerë më shumë se viti i kaluar. Shifra do shkojë përtej çdo pritshmërie apo parashikimi. Bashkë me policinë do na duhet të shtojmë edhe 100 punonjës të tjerë policie me qëllim përballimin e fluksit”.

Në fjalën e tij, ministri i Brendshëm theksoi se Policia ka gati një plan masash për sigurinë e turistëve që do shtrihet në gjithë vendin. Balla tha se do të shtohen edhe gjashtë stacione policie shtesë në zonat më të frekuentuara, si Thethi, Valbona, Ksamil, Tale. Në Koman do ketë njësi shërbimi 24 orë.

“Policia ka gati një plan të madh, që shtrihet në gjithë territorin. Nga pika e kalimit kufitar, në akset kombëtare, nga zonat bregdetare në malore, te sitet historike të aktivitetet kulturore me një objektiv të qartë 100% siguri për turistët vendas dhe të huaj”, tha Balla.

Ministri i Brendshëm Taulant Balla, njoftoi edhe për projektin ‘Smart City’, për të cilin po punohet me qeverinë e Emirateve të Bashkuara Arabe. Përmes këtij projekti, synohet monitorimi i zonave turistike dhe gjithë qyteteve me qëllim rritjen e sigurisë publike.

"Mezi presim të fillojmë zbatimin e projektit të madh SMART CITY, falë bujarisë së qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe, në të gjitha qytetet kryesore të Shqipërisë dhe në të gjitha zonat turistike, me qëllim rritjen e sigurisë publike, mbrojtjen jetës dhe të pronës private, monitorimi trafiku, monitorim bregdeti, pajisja e punonjësve të policisë me kamera trupi etj përmes një sistemi gjithëpërfshirës zgjidhjesh teknologjike dhe inteligjence artificiale, do të na mundësojë kalimin në nivelin që duam të sigurisë".

Gjatë vitit 2023 ka pasur 500 operacione kërkim shpëtimi dhe këtë vit “do duhet të jemi gati për rreth 700 raste të tilla”, parashikoi ministri.

Në dispozicion të forcave do të jenë 208 mjete. Një sfidë e madhe që duhet fituar mbetet parandalimi i ndotjes akustike”, mbylli njoftimin Balla.

"Champions League" - 20 milionë turistë para 2030

Kryeministri i vendit Edi Rama, në fjalën e tij në Aktivitetin për Mbarëvajtjen e Sezonit Turistik, bazuar në rritjet e turistëve vitet e fundit, Shqipëria synon që të arrijë 20 milionë turistë përpara vitit 2030.

“Më 2030 synojmë mbi 20 milionë turistë. Duhet të shohim shifrat e këtyre viteve, për të thënë sesa mund të shkojë shifra e turistëve. Unë besoj se shifra e 20 milionë turistëve mund të arrihet më parë”.

Sot kemi hyrë në Champions League e konkurencës së turizmit, tha Rama.

"Ky është sa moment historik por dhe sfidash. Se kemi hyrë por duhet të mbetemi. Italia, Franca, Spanja, Greqia nuk bien nga Champion".

Sipas kryeministrit ka rritje befasuese të turistëve në këtë vit.

“Ka rritje befasuese të vizitorëve të huaj që kanë hyrë në Shqipëri, është 65 përqind më i lartë se viti i kaluar. Nëse shkëpusim vetëm marsin, jemi 90 përdind më lart me shifra. Këto shifra zhgënjejnë edhe pritshmëritë më pesimiste. Unë kam thënë që mos u çudisni që shifra të shkojë në 10 milionë”. 

Kryeministri bëti me dije se në muajin maj do të hapet gara për ndërtimin e aeroportit të Gjirokastrës. Rama tha se ky aeroport do t’i shërbejë të gjithë zonës së jugut, ndërsa korriku hapet edhe segmenti Thumanë-Kashar.

"Në korrik në gusht në vijim s’do kalojnë më andej nga kaloni vazhdimisht. Do kenë të hapur segmentin Thumanë-Kashar me standarde të tjera si pjesë e korridorit blu. Në maj hapim garën për aeroportin e Gjirokastrës, që do i shpërbejë të gjithë zonës së jugut", tha Rama. 

34 Qendra të reja Shëndetësore dhe për herë të parë në funksion motoambulancë

Gjatë fjalës së saj, ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu ka njoftuar se hapen edhe 34 Qendra Shëndetësore sezonale, të cilat do të shërbejnë përgjatë sezonit turistik.

“Do hapim 34 qendra shëndetësore sezonale, 4 më shumë se vitin e shkuar, të shpërndara në gjithë Shqipërinë dhe në zona kyçe ku kemi fluks turistësh. 10 Qendra Shëndetësore në veri, 15  në jug dhe 9 në Shqipërinë e mesme. Fillojnë funksionimin nga 1 qershori deri në 30 shtator”.

Ajo ka bërë me dije se këtë vit rreth 200 persona të stafit mjekësor do të punësohen dhe për herë të parë do të shërbejnë edhe motoambulanca.

“Po përfundojmë rekrutimin e punonjësve të shëndetësisë që do punojnë 24/7 për të gjithë qytetarët dhe turistët. Rreth 200 mjekë dhe infermierë që do punësohen. Do shërbejnë edhe motoambulanca, që shmangni trafikun dhe shkurtojnë kohën e marrjes së ndihmës së parë”.

Ministrja tha se ka nisur procesi i dezinsektimit nga Shkodra dhe do shtrihet në gjithë vendin.

“Ka nisur procesi i dezinsektimit nga Shkodra dhe do shtrohet në gjithë vendin, me një sipërfaqe 20% të shtuar këtë radhë. Kemi marrë masa për të garantuar inspektime të bareve, hoteleve për të siguruar standarde më të larta, pastërti dhe cilësi”.

Kumbaro: Aplikoni për licenca ose do u bllokohet aktiviteti

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, u shpreh se duke iu referuare shifrave të tre muajve të fundit, ka pritshmëri të larta në flukse turistike.

“Prandaj garantimi i sigurisë është një përgjegjësi e lartë, veçanërisht në bregdet në muajt e pikut të sezonit turistik veror”, deklaroi ajo.

Kumbaro bëri thirrje operatorëve të turizmit detar që të aplikojnë për licencë ose do u bllokohet aktiviteti.

“Kemi certifikuar mbi 110 operatorë të turizmit detar dhe askush nuk do të mund të ushtrojë aktivitetin e turizmit detar dhe ujor nëse nuk do të jetë i pajisur me certifikatën përkatëse, dhe kjo vlen edhe për hapësirat e tjera ujore, si liqeni i Pogradecit, lumi i Shalës apo Liqeni i Komanit dhe mjetet do të bllokohen nga Policia e Shtetit nëse operohet pa certifikimin në Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit”.

Në fund të fjalës së saj, Kumbaro u shpreh se Ministria e Turizmit dhe Mjedisit do të intensifikojë rolin e saj monitorues dhe në mbrojtje të standardeve në turizëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë