Gazeta Si – Prokuroria e Beratit kërkoi dënimin me 3 vite burg për Armand Kumarakun dhe 2 vite burg për nënën e tij, Natasha Rombollas, të akuzuar për veprën penale të “keqtrajtimit të të miturit”.
Sipas dosjes hetimore, nënë e bir në mënyrë të vazhdueshme kanë keqtrajtuar fizikisht dhe psikologjikisht djalin e mitur 10 vjeç, duke përdorur gjuhë banale ndaj tij, si dhe e detyruan të përdorë të njëjtin fjalor në rrjete sociale, YouTube dhe TikTok, duke e ekspozuar publikisht në mënyrë të papërshtatshme për moshën e tij.
Përveç dënimit me burg, organi i akuzës kërkon edhe humbjen e përgjegjësisë prindërore ndaj fëmijës për Armand Kumarakun.
Prokuroria thekson se i mituri ka qenë nën presion të vazhdueshëm, është ndjerë i kërcënuar dhe është përballur me bullizëm verbal, që ka ndikuar ndjeshëm në gjendjen e tij emocionale dhe psikologjike.
Ai është detyruar të marrë pjesë në video në rrjetet sociale pa dëshirën e tij, ndërsa është konstatuar edhe ekspozimi i tij ndaj lëndëve narkotike, një fakt i konsideruar veçanërisht i rëndë për moshën.
Hetimet paraprake dhe vlerësimi i provave çuar prokurorinë në përfundimin se nënë e bir, Armand Kumaraku dhe Natasha Rombollas, kanë ndërmarrë veprime që dëmtojnë zhvillimin mendor dhe fizik të fëmijës, duke sjellë si pasojë shfaqjen e simptomave të çrregullimeve të personalitetit antisocial. Çështja ndodhet në pritje të vendimit përfundimtar të gjykatës, e cila do të jap fjalën e fundit.
Vetë i vogli ka dëshmuar se shpesh herë ka pasur kërcënime fizike dhe psikologjike kur dilte në “Tik Tok” dhe babai e kërcënonte gjatë gjithë kohës me thikë që ai të shfaqej në rrjetet sociale edhe pse ai shprehej se nuk kishte dëshirë edhe një pjesë të fjalorit që ai përdorte nuk ia dinte kuptimin. Jo vetëm kaq, të voglit i jepnin puro dhe pije alkoolike dhe kjo qartësisht rezulton se ndaj tij është ushtruar keqtrajtim fizik dhe psikologjik dhe është detyruar për të kryer veprime që dëmtojnë zhvillimin e tij mendor dhe fizik.
Natasha Rombula u arrestua së bashku me djalin e saj Armando Kumaraku në shkurt të vitit të kaluar, me akuzën për kryerjen e veprës penale “Keqtrajtimi i të miturit”, kryer në bashkëpunim. Arrestimi i tyre erdhi pas denoncimit të ish-bashkëshortes së Kumarakut, për disa video të shpërndara në rrjetin social TikTok, ku duket se ata mësonin 10-vjeçarin të shajë me fjalë banale, për të përfituar vlera monetare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.