Treg

Shfryhet flluska e Ilir Beqjës

Komisioni për Ekonominë dhe Financat rrëzoi sot që në parim propozimin e deputetit socialist Ilir Beqja.

Ish ministri i shëndetësisë i kërkoi kuvendit të falë gati 10 mln lekë gjoba të periudhës 1 korrik-31 gusht ndaj disa subjekteve që ushtronin veprimtarinë e tyre në fushën ushqimore, të cilët nuk ishin të pajisur me licencën përkatëse në kohën e inspektimit nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit.

Beqja e argumentoi propozimin e tij me padijeninë e subjekteve për të pasur një licencë të tillë.

Deputeti socialist u shpreh në komision se “fakti që pas vënies në dijeni nga AKU rezultojnë 1400 aplikime për marrje licence në sektorin ushqimor, vërteton që subjektet e gjobitur nga 1 korriku-31 gusht në një atmosferë të përgjithshme të nderë dhe inspektime intensive, duhet të aminstohen, sepse gjobitja e tyre tregon diskriminim ”.

Ish ministri akuzoi AKU-në që nuk ka qenë e drejtë dhe këmbëngulëse për zbatimin e VKM-së që urdhëron paisjen me licencë, “VKM e cila ka 10 vite që ekziston”.

Sipas tij, ankesat nga subjektet që i kanë ardhur, kanë qenë të gjitha në këtë drejtim.
“AKU ka 10 vite që konstaton dhe nuk penalizon. Mosdija ka qenë masive dhe e shtrirë në kohë. Mund të ishte treguar më e lehtë në vendim AKU, jo domosdoshmërisht me gjoba. Subjektet e kanë marrë menjëherë licencën paskëtaj, nuk ka qenë çështje shpenzimi, por procedure administrative”- sqaroi Beqja.

Kreu i Komisionit, relator i propozimit, Arben Ahmetaj kërkoi menjëherë nga komisioni për ta rrëzuar amendimin e deputetit Beqja, duke argumentuar se “siguria ushqimore e njerëzve është çështja më e rëndësishme dhe diskutohet në një kohë kur qeveria është në një fushatë antiinformaliteti me fokus sigurinë ushqimore. Ky propozim çel shtigje për antikushtetueshmëri, diskriminim dhe precedencë për të njëjta ngjarje”

Madje, Ahmetaj kërkoi nga përfaqësuesit e Ministrisë së Bujqësisë dhe AKU që pas kalimit të buxhetit të thirrej një seancë e hapur e posaçme për problemet e sigurisë ushqimore.
Të dhënat e AKU-së tregojnë se për periudhën 1 korrik 31 gusht janë gjobitur 59 subjekte dhe nga 1 janari 80 subjekte për të njëjtën arsye të mospaisjes me licencë për veprimtari ushqimore.

Si Ministria e Bujqësisë, ashtu edhe AKU u shprehën kundër miratimit të propozimit për faljen e gjobave.

Ish zv/kryeministrja Senida Mesi, u shpreh se amnistitë e këtij lloji janë harruar me 2013-ën.

Ajo propozoi për AKU-në që gjobat e vendosura duhet të reflektojnë rritjen e silësisë së sigurisë ushqimore.

Për këtë, sugjeroi ajo, duhet bërë vlerësimi i riskut në QKB duke u kontrolluar të gjithë licencat e subjekteve që AKU ka në kompetencë.
“Siguria ushqimore është primare dhe parlamenti nuk duhet të zhysë qasjen e vetë ndaj shkelësve”, u shpreh ajo.

Pak kohë më parë AKU do të sqaronte për Gazetën “Si” se “Ushtrimi i biznesit ushqimor pa licensë nuk duhet as të mendohet, prandaj është edhe kundravajtja më e madhe administrative”

Për AKU, padijenia e biznesit për parashikimet ligjore dhe rregullatore nuk i përjashton ato nga përgjegjësia.

Sipas Autoriteti, ajo mbart detyrimin ligjor për këshillimin teknikisht të Operatoreve të Biznesit Ushqimor për praktikat e mira të prodhimit, përpunimit, tregtimit, por thekson se nuk ka asnjë detyrim ligjor për të shërbyer si konsulent ligjor apo administrativ për biznesin.

Vetë biznesi ushqimor, si çdo biznes tjetër, sqaron Autoriteti, kur rregjistrohet në QKB dhe pajiset me NIPT, plotëson një vetëdeklaratë se ai njeh dhe do të zbatojë legjislacionin në fuqi për veprimtarinë që kërkon të ushtrojë.

AKU ka ndërmarrë një fushatë intesnsive në terren për të gjurmuar minuesit e sigurisë ushqimore dhe subjektet e palicensuara që rrezikojnë gjithashtu sigurinë ushqimore.
AKU ka vendosur gjoba përpos subjekteve anonim për publikun, edhe operatorëve ekonomikë të dëgjuar dhe me reputacion në publik.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë