Shendet

Shfaqet një mutacion i virusit Zika. Shkencëtarët: Rrezik për shmangien e imunitetit ekzistues

Një mutacion i ri i virusit Zika që po evoluon me shpejtësi mund të shkaktojë një tjetër shpërthim të madh të sëmundjes duke shmangur imunitetin ekzistues, kanë paralajmëruar shkencëtarët.
Virusi Zika, i cili bartet nga mushkonjat, është zakonisht i lehtë tek të rriturit, megjithatë mund të infektojë një fetus në zhvillim duke rezultuar në defekte të lindjes si mikrocefalia ,e duke i lënë foshnjat me pasoja të moszhvillimit normalisht në të folur dhe të ecur.
Në raste të rënda mund të shkaktojë dëmtime fatale të trurit tek foshnjat dhe abort te gratë shtatzëna.
Tani, studiuesit në Institutin La Jolla për Imunologjinë (LJI) në Kaliforni, kanë zbuluar se virusi mund të ndryshojë lehtësisht për t’u bërë më infektiv me një ndryshim të vetëm të aminoacideve.
Në një virus që tashmë po tregon shenja të evolucionit me ritëm të shpejtë, shkencëtarët kanë frikë se kjo do të lejonte përhapjen e infeksioneve më gjerësisht, sipas raportit të tyre të botuar në “Cell Reports”.


Ata zbuluan se mutacioni i rrezikshëm (i quajtur NS2B I39V/I39T) rrit aftësinë e virusit, për t’u riprodhuar te minjtë, mushkonjat dhe qelizat njerëzore. Zika ndan shumë nga të njëjtat veti biologjike si virusi i dengës dhe ekspozimi i mëparshëm ndaj dengës mund të ofrojë mbrojtje ndaj Zikës. Sidoqoftë, studiuesit thanë se të dy viruset ndryshojnë shpejt dhe një virus në zhvillim do të thotë se nuk mund të garantohet mbrojtja e qëndrueshme.

“Dengu dhe Zika janë viruse ARN, që do të thotë se ata mund të ndryshojnë gjenomin e tyre. Kur ka kaq shumë mushkonja, këto viruse janë vazhdimisht duke evoluar,” tha profesoresha Sujan Shresta, e cila bashkë-drejtoi studimin me një ekip nga Dega Mjekësore e Universitetit të Teksasit.
Studiuesit ishin në gjendje të analizonin se si virusi evoluon natyrshëm, duke analizuar ciklet e infeksionit që ndërroheshin në mënyrë të përsëritur midis qelizave të mushkonjave dhe minjve, duke u mundësuar atyre të shqyrtojnë mënyra për të përshtatur vaksinat dhe trajtimet për të kundërshtuar kërcënimin e ri.
Zika u identifikua për herë të parë te majmunët në Ugandë në vitin 1947 dhe shpërthimi i fundit në Brazil, e vende të tjera në Amerikë gjatë viteve 2015 dhe 2016 shkaktoi një rritje të abortit dhe defekteve të tjera të lindjeve.

Foto ilustruese-Një fëmijë i prekur nga virusi Zika


Kjo bëri që Organizata Botërore e Shëndetësisë ta shpallë atë një emergjencë të shëndetit publik me shqetësim ndërkombëtar, megjithëse Brazili njoftoi se shpërthimi kishte përfunduar në 2017. Në raste të rralla, virusi mund të shkaktojë sindromën Guillain-Barré tek të rriturit, një gjendje e rëndë që prek nervat, duke shkaktuar probleme të tilla si mpirje, dobësi dhe dhimbje. Zika përhapet nga mushkonja Aedes aegypti, duke rezultuar në transmetim të shpejtë midis njerëzve, veçanërisht në popullatat me densitet të lartë. Mund të shkëmbehet edhe gjatë kontaktit seksual.
Në janar, studiuesit në SHBA thanë se një vaksinë Zika mbi të cilën po punonin ishte efektive në parandalimin e kalimit të virusit nga nëna tek fetusi në studimet e hershme.
In-Jeong Kim, një imunolog viral në Institutin Trudeau në Nju Jork, ku u zhvillua vaksina, tha se nuk dihej ende se sa efikase ishte dhe duheshin më shumë studime.

Burimi:The Independent/Përshtati:Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë