Gazeta Si – Dy persona, babë e bir, 67 dhe 24 vjeç, janë shpallur në kërkim lidhur me konfliktin e ndodhur dje në ambientet e zyrës elektorale të PSD në kryeqytet.
Sipas asaj që bën të ditur policia fillimisht 24-vjeçari Lorenc Telhallari është konfliktuar për motive të dobëta në një lokal në rrugën “Ali Demi” me një person tjetër.
Pas këtij konflikti, i riu është larguar nga vendngjarja dhe është rikthyer më pas me babanë e tij 67 vjeç, Artan Telhallari, gjithashtu i shpallur në kërkim, i cili dyshohet se ka patur armë me vete.
Ata kanë kërkuar në zonë, personin me të cilin ishte konfliktuar i riu dhe gjatë kësaj kohe kanë dëmtuar me send të fortë, xhamin e një zyre elektorale që ndodhet në këtë zonë.
Një foto e shkëputur nga kamerat e sigurisë tregon Arjan Telhallarin të armatosur, teksa i drejtohet zyrës elektorale të Partisë Social-Demokrate (PSD) në rrugën “Ali Demi” në Tiranë.
Sipas burimeve, automatiku i Telhallarit ka qenë i mbushur, madje atij i kanë rënë fishekët në tokë gjatë sherrit, por arma nuk është përdorur.
Shkak i sherrit dyshohet një mosmarrëveshjeje për baste mes djalit të Telhallarit dhe shtetasit L.P., ndërsa PSD ka mohuar që konflikti të ketë ndodhur në ambientet e saj ose që personat e përfshirë të kenë lidhje me partinë.
Ngjarja ndodhi në mesditën e djeshme rreth orës 14:00, kur Policia e Tiranës mori një telefonatë për një konflikt të dhunshëm në një zyrë elektorale.
Pas ndërhyrjes së menjëhershme, u konstatua se xhami i zyrës ishte dëmtuar dhe në vendngjarje u gjetën dy fishekë të pa shpërthyer, çka ngriti shqetësime për rrezik të mundshëm.
“Shpallën në kërkim shtetasit L. T., 24 vjeç dhe A. T., 67 vjeç, pasi nga hetimet e kryera rezultoi se ditën e djeshme, në një lokal, në rrugën “Ali Demi”, fillimisht janë konfliktuar për motive të dobëta, 24-vjeçari dhe 1 shtetas tjetër. Pas konfliktit, shtetasi L. T. është larguar nga vendngjarja, ku është rikthyer më pas, me babanë e tij, shtetasin A. T., i cili dyshohet se ka patur armë me vete. Ata kanë kërkuar në zonë, 27-vjeçarin me të cilin ishte konfliktuar shtetasi L. T., dhe gjatë kësaj kohe kanë dëmtuar me send të fortë, xhamin e një zyre elektorale që ndodhet në këtë zonë. Punohet për kapjen e shtetasve të implikuar në këtë rast dhe për zbardhjen e rrethanave”, njofton policia.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.