Nga Gazeta ‘Si’ - Ashtu siç pritej, raporti i Komisionit të Venecias lidhur me pajtueshmërinë e mandatit të deputetes socialiste, Olta Xhaçka, shkaktoi replika mes opozitës dhe mazhorancës në seancën e sotme parlamentare.
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, gjatë fjalës së tij në Kuvend tha se mazhoranca u zotua se sapo të vinte opinioni i Venecias do ta zbatonin, por sipas tij, ata bënë të kundërtën.
Ai pretendon se mazhoranca ka shpikur një opinion që sipas tij nuk ekziston duke u thënë shqiptarëve se Kuvendi është i pavarur dhe nuk i bindet Gjykatës Kushtetuese.
“Ju jeni e vetmja mazhorancë që në 34 vite dy vendet e GJK i keni hedhur në kosh. Çfarë shembulli u jepni ju qytetarëve që kanë një konflikt gjyqësor dhe e zgjidhni me vendim gjykate? U thoni po ju pëlqeu një vendim gjykate zbatojeni, po nuk ju pëlqeu, shpallni Republikën Xhaçka dhe mos e zbatoni vendimin e gjykatës. Ky është shembulli që ju transmetoni.
Për turpin tuaj, u zotua publikisht se sa të vinte opinioni i Komisionit të Venecias do ta zbatonte. Por çfarë bëri, shpiku një opinion që nuk ekziston. U tha shqiptarëve se Kuvendi është i pavarur dhe nuk i bindet Gjykatës Kushtetuese. Nxorën lajme të rreme pa asnjë dokument dhe pa asnjë bazë dhe më pas e shpërndanë si një fake neës në të gjitha mediat”, tha Bardhi.
Ndër të tjera ai kërkoi që çështja e Olta Xhaçkës të futet në rend dite dhe të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese, në mënyrë që të vendoset nëse është apo jo në kushte të papajtueshmërisë.
“Komisioni i Venecias u ka thënë atë që ju kemi thënë ne në këtë sallë, atë që ka thënë Gjykata Kushtetuese, që nuk mund të ngrini pavarësinë tuaj apo lirinë tuaj të votës kur bëhet fjalë për vendimet e GJK. Nuk mund të konsiderohet si imponim i një mënyre votimi, por përmbushje përgjegjësie.
Prandaj, futeni menjëherë në rend dite. Dorëzojani drejtësisë Olta Xhaçkën, të vendosë GjK nëse është apo jo në kushtet e papajtueshmërisë. Çdo sjellje e kundërt ndaj saj është minim i shtetit të së drejtës”, tha Bardhi.
Bardhit i replikoi menjëherë kreu i Grupit të PS Niko Peleshi i cili tha se mazhoranca respekton autonominë parlamentare dhe vendimet e GJK. Ai tha se kërkesa e Kuvendit nuk kishte lidhje me një deputetet të caktuar, çështje të caktuar apo grup parlamentarësh të caktuar.
Ai tha se kërkesa kishte lidhje me Kuvendin dhe se vendim ishte mendim pozitiv për të gjithë, madje më tepër për minorancën, tha Peleshi.
"Lidhur me atë çka u tha për rekomandimin e komisionit të Venecia, nuk marr përsipër të bëj trajtim teknik. Kërkesa nuk kishte lidhje me një deputetet të caktuar, çështje të caktuar apo grup parlamentarësh të caktuar. Kishte lidhje me kuvendin. Unë e falënderoj edhe njëherë para jush kryetaren e Kuvendit që nuk ndërhyri, nuk e futi komisionin e Venecias në mes të procedurës që kishim, pra për mandatin e zonjës Xhaçka, por pasi mbaroi procedura në respekt edhe të vendimit të GJK i bëri disa pyetje Komisionit të Venecias që do të na ndihmojë të gjithëve jo vetëm kuvendin por edhe institucionet e tjera. Ne nuk e ngremë flamur në mënyrë triumfuese atë vendim, sepse ai vendim ishte mendim pozitiv për të gjithë, madje më tepër për minorancën", tha Peleshi.
Ndërsa deputetja Klotilda Bushka theksoi se Komisioni i Venecias njohu natyrën detyruese të vendimeve të GJK, por nënvizoi gjithashtu rëndësinë e autonomisë parlamentare. Ajo u shpreh se çdo deputet ka të drejtën për të votuar në mënyrë të lirë, duke ruajtur standardet kushtetuese.
"Në deklaratën për shtyp Komisioni i Venecias thotë se Kuvendi i Shqipërisë ka njohur natyrën detyruese të vendimeve të GJK. Komisioni thekson detyrimin e parlamentit për të respektuar kushtetutën. Ky respektim nuk duhet kushtëzuar nga vota parlamentare. Nëse kushtetuta i jep fuqinë për të votuar për një çështje përmbajtja e votës duhet vendosur lirshëm nga çdo deputet. Ju e lexoni si ju intereson. Paragrafi 22 flet për standardet që nuk i kemi vënë në dyshim. Unë besoj se ata që janë juristë dhe lexojnë jo vetëm dy paragrafë, se Venecia ka dhënë opinion të ndërsjelltë të drejtës së deputetit dhe vendimit të GJK. Nëse doni ta lexoni ndryshe, mos merrni fjalë të shkëputura. Kjo është çështje ku autonomia parlamentare ka fituar të drejtën e vet. Ka fituar të drejtën t’i njihet 1/10. Komisioni Venecias nuk bëhet debat publik", tha Bushka.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.