Gazeta si - Rreth 8 muaj pas skandalit të dhunës në Oborrin Mbretëror, Prokuroria e Tiranës kërkon të dënojë Princ Lekën me 1 vit e 6 muaj burg për dhunë në familje ndaj ish-gruas së tij Elia Zaharia dhe babait të saj.
Po ashtu, sipas burimeve, organi i akuzës, ka kërkuar 6 muaj burg për Elia Zaharinë dhe 1 vit për babanë e saj të përfshirë në sherrin e familjes mbretërore.
Dënimin më të lartë e ka Princ Leka, ndërkohë nëse të tre shpallen fajtorë, Prokuroria kërkon që dënimi t’iu konvertohet në shërbim prove.
Të tre akuzohen për veprën penale “dhunë në familje” dhe u gjykuan me procedurën e gjykimit të shkurtuar. Vendimi do jepet nga gjyqtarja Migena Laska dhe seanca është caktuar më datë 13 dhjetor.
Në një video që qarkulloi në rrjet në mars 2024, shfaqej Princ Leka i përshirë në një përleshje fizike me Princeshën Elia dhe babain e saj, Gjergj Zaharia, 73 vjeç. Të dyja palët pretenduan për dhunë fizike duke u pajisur me urdhër mbrojte nga gjykata civile.
Pas sherrit fizik, Princ Leka Zogu dhe Elia Zaharia i kanë dhënë fund martesës së tyre pas 8 vitesh. Vendimi është marrë në datën 24 prill të këtij viti nga Gjykata e Tiranës.
Në vendimin e togave të zeza, thuhet se çifti i bashkëshortëve e kanë kërkuar divorcin me marrëveshje mes tyre.
Ata kanë dhënë edhe arsyet se përse kërkojnë që të ndahen duke argumentuar se shkak kryesorë kanë qënë konflikete e vazhdueshme mes tyre, dhe jo tradhëtia ashtu siç është aluduar gjatë këtyre muajve.
Para dhënies fund të martesës, Princ Leka dhe Elia Zaharia kishin firmosur para noterit një marrëveshje paraprake, duke rënë dakort edhe për pronat që i takojnë ish-princeshës dhe vajzës së tyre Geraldina.
Sipas aktmarrëveshjes të dorëzuar në gjykatën civile thuhet se Elja do të jetojë në një apartament 257 m2 në qendër të Tiranës, pas ish-Hotel Dajtit, që Leka ia ka dhënë vajzës, Geraldinës.
Gjithashtu aktorja ka përfituar edhe një dyqan dhe një parking. Këto prona janë në emër të princesh Geraldinës dhe kur ajo të arrij moshën madhore Elia e humbet të drejtën e menaxhimit të tyre.
Për momentin Elia Zaharia do të jetojë në pallatin mbretëror bashkë më vajzën deri sa apartamenti të bëhet gati.
Sipas marrëveshjes Leka Zogu do të paguajë 1 mijë Euro vlerë monetare mujore si detyrim ushqimor kundrejt vajzës Geraldinës. Kjo shumë përfshin shpenzimet për nevojat e përditshme të fëmijës dhe do të paguhet në llogarinë bankare të nënës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.