Gazeta Si – Dy orgaizatorët e dyshuar të sherrit në Shkodër, ku u plagosën 3 të rinj, janë liruar nga burgu. Gjykata e Shkallës së Parë ka vendosur lirimin me masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për Klevin Thepi, 24 vjeç, dhe Doronesto Kulla, 19 vjeç.
Ata dyshohen si organizatorët kryesorë të dhunës masive mes adoleshentëve disa ditë më parë në qytetin e Shkodrës, pranë shkollës së mesme “Shejnaze Juka”.
Ngjarja përfshiu rreth 15 të rinj, të ndarë në dy grupe, kryesisht 17–18 vjeç, të cilët u konfliktuan fillimisht me grushte dhe më pas me sende të forta, ndërsa gjatë përleshjes është përdorur edhe armë e ftohtë (thikë).
Si pasojë e këtij konflikti, tre adoleshentë mbetën të dëmtuar lehtë dhe u transportuan në spitalin rajonal të Shkodrës, ku morën ndihmën mjekësore dhe tashmë ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Sipas hetimeve, konflikti dyshohet se ka pasur zanafillë një përplasje të mëparshme mes nxënësve për motive të dobëta.
19-vjeçari, i identifikuar si Doronesto Kulla dyshohet se ka shkuar në ndihmë të vëllait të tij, një 17 vjeçari nxënës i shkollës “Shejnaze Juka” duke u përfshirë në përleshje së bashku me persona të tjerë.
Pamjet filmike tregojnë momentin kur dy grupet bashkohen dhe nisin përplasjen fizike, e cila zgjat rreth një minutë, përpara se të shpërndahen.
Fillimisht u arrestuan dy të rinjtë e dyshuar si organizatorë, Klevin Thepi dhe Doronesto Kulla.
Për pesë të mitur (katër 17-vjeçarë dhe një 16-vjeçar) u nis procedimi penal në gjendje të lirë.
Paralelisht, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve referuan materiale në Prokurori për një prej 17-vjeçarëve, të cilit gjatë kontrollit fizik iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




