Ka ndodhur

Sherri me armë te furra e bukës në Shkodër, arrestohet pronari

Gazeta Si – Armando Ndreu, 32 vjeç dhe Sadet Sala, u përfshinë në një konflikt me armë pasditen e 22 marsit 2022 në lagjen “Skënderbej” në Shkodër pranë një furrë buke.

Policia njoftoi këtë të martë se ka vënë në pranga Sadet Salën, ndërsa Armando Ndreu është ende në kërkim.

“Zbardhet dhe dokumentohet ngjarja e ndodhur më datë 22 mars 2022, në lagjen “Skënderbeg”, Shkodër, ku u qëllua me armë zjarri në drejtim të një biznesi (furrë buke). Kapet dhe vihet në pranga pronari i këtij biznesi, i cili nga hetimet rezulton i përfshirë në konfliktin me armë zjarri me shtetasin Armando Ndreu”, bën me dije policia.

E gjitha nisi kur 32-vjeçari, Armando Ndreu la makinën në mes të rrugës në lagjen Skëndërbeg të Shkodrës dhe nisi të qëllojë me breshëri kallashnikovi në drejtim të furrës së bukës, në pronësi të shtetasit Sadet Sala.

Pasi qëlloi disa herë në drejtim të saj, Ndreu hipi sërish në makinë dhe në ecje sipër arrin të qëllojë sërish në drejtim të objektivit të tij.

Pasi Armando Ndreu ka qëlluar me breshëri plumbash drejt furrës i është përgjigjur Sadet Sala, i cili mësohet se ka shtënë 3 herë me pistoletë në drejtim të makinës së autorit. Fatmirësisht nga të shtënat nuk pati të lënduar, por vetëm dëme material.

Për 28-vjeçarin, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, me vendimin e datës 03.04.2022, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Ndërkohë, policia bën të ditur se vijon puna për kapjen e 32-vjeçarit Armando Ndreu.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë