Gazeta Si – Debati në dukje banal mes një grupi shokësh dhe Madrit Ulqinakut, i shkaktoi vdekjen këtij të fundit menjëherë pasi doli nga një lokal në Elbasan.
Autori i dyshuar, i identifikuar me inicialet H.P., është shpallur në kërkim nga policia, ndërsa në pranga ka rënë bashkëmoshatari i tij, i identifikuar si E.D.
Ky i fundit, akuzohet si një prej personave të përfshirë në konflikt. Atij iu gjetën një thikë dhe një dorezë metalike pas arrestimit nga policia.
Gjithashtu është shpallur në kërkim edhe 33-vjeçari Kajdi Sallufi, i përfshirë në konfliktin e çastit mes të rinjve dhe viktimës.
Të tre këta persona u konfliktuan verbalisht me Madrit Ulqinakun dhe më pas i riu me iniciale H.P., qëlloi me armë 33-vjeçarin duke e lënë të vdekur në vend.
Kjo është tragjedia e dytë që ndodh në familjen Ulqinaku, pasi në vitin 1997 para 25 vitesh, në kohën e trazirave në Shqipëri, është vrarë edhe vëllai i Madritit.
Ngjarja ka ndodhur në një zonë shumë të frekuentuar të qytetit, pranë stadiumit dhe lokaleve të ndryshme, që ishin ende të populluara. Dy të rinjtë nuk njiheshin paraprakisht dhe përplasja dyshohet të ketë nisur për motive banale.
Sipas asaj që mëson Gazetasi.al, ka pasur një sherr verbal fillimisht mes viktimës dhe autorit, i cili dyshohet të jetë goditur me shuplakë në fytyrë.
Më pas palët janë larguar, por pikërisht teksa Ulqinaku po hipte në makinën që e kishte të parkuar në anë të rrugës, u qëllua me armë nga autori, duke humbur jetën në vend.
Adoleshenti u largua me makinë nga vendngjarja pas krimit dhe vijon të jetë në kërkim nga policia.
Megjithatë, ende mbetet i paqartë motivi i sherrit që nisi mes të dyve.
Dyshohet se autori është ndihmuar nga persona të tjerë për t’u larguar, ndërsa policia ka sekuestruar edhe kamerat e sigurisë në zonë.
Pas ngjarjes së rëndë, familjarët e viktimës kanë shpërthyer në britma e ulërima, teksa kanë mbërritur në vendin ku u vra Madrit Ulqinaku.
‘Kush e vrau… para 10 minutash fola me çunin? A është ai apo jo? Kush e vrau?’- dëgjohen ato teksa qajnë dhe tentojnë që t’i afrohen trupit të pajetë, por ndalohen nga policia.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



