Politike

Sherr për Berishën / Nikolla rrëzon Bardhin për ta rifutur në grup, s’pranohet mocioni me debat për Rai3 (spastrohet grupi ‘Basha’ nga këshillat)

Nga Gazeta Si - Ende pa filluar mirë seanca, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, njoftoi se ishin bërë disa ndryshime me kërkesë të grupit parlamentar të PD-së në përbërjen e këshillave parlamentare brenda dhe jashtë saj.

Me pak fjalë, në përbërjet e reja vihej re qartë spostimi i deputetëve të grupit ‘Basha’ dhe zëvendësimi i tyre më deputetët e grupit ‘Bardhi’.

Gazment Bardhi si kreu i grupit parlamentar, ka hequr nga Këshilli i Legjislacionit deputetin Enkelejd Alibeajt dhe kërkon ta zëvendësojë me Dhurata Çupin.

Edhe Lulzim Basha është hequr nga Asambleja Parlamentare për Bashkëpunimin e Europës Perëndimore dhe në vend të tij është emëruar Oerd Bylykbashi

Nga ana tjetër, nënkryetarët e grupit të PD-së, do të jenë Ervin Salianji dhe Albana Vokshi, ndërsa zëdhënëse dhe sekretare, Ina Zhupa.

Jorida Tabaku, Gazment Bardhi, Ina Zhupa, Zhani Gjergji, Saimir Korreshi dhe Sorina Koti do të jenë anëtarë të Komitetit për Stabilizim Asociimin.

Por kjo nuk ishte e vetmja kërkesë dhe debat

Lindita Nikolla njoftoi gjithashtu se kërkesa e Gazment Bardhit për mocion me debat lidhur me emisionin e RAI3 ishte rrëzuar.

Ajo që Nikolla nuk lexoi, (duke ia kujtuar me tej Gazment Bardhi) ishte një kërkesë e fundit e grupit parlamentar për të futur në grup Sali Berishën i përjashtuar me vendim të PD-së.     

“Ka një vendim partie për përjashtimin e Berishës dhe futet (në grup) me vendim partie, neni 116 më jep atributet për interpretimin e rregullores dhe këtu e mbyllin këtë debat”, tha Nikolla. Përpos kërkesës së saj debati nuk u mbyll.

Nga Gazmant Bardhi, Edmond Spaho, Oerd Bylykbashi dhe më tej Luan Baci sollën në vëmendje se Nikolla duhet të ndiqte të njëjtën praktike sic kishte ndjekur me deputetët e tjerë të përjashtuar që ishin rikthyer në grupin e PD po me vendim Kuvendi  

“...Janë dy vendime të kundërta që keni marrë. Vendimi nuk merret nga PD për deputetin por nga vete personi dhe grupi parlamentar, ashtu siç pranuat neve duhet të pranoni edhe atë (Berishën)”, tha Baçi, kërkesë që nuk u pranua sërish nga Nikolla duke përsëritur së vendimin e kishte marrë.

Reagimi i Nikollës solli edhe replika nga vendi më pas duke iu drejtuar podiumit nga deputeti Flamur Noka.

Nikolla kërkoi pesë minuta pushim.  Debati rifilloi me të njëjtën temë dhe më të njëjtin reagim nga Lindita Nikolla.

“Një vendimmarrje partie nuk mund të zhbëhet nga një vendim grupi”, reagoi Nikolla. Pas rinisjes së seancës debati vijoi duke sjellë nderhyrjen e Ministres së Shtetit për Parlamentin, Elisa Spiropali, e cila kërkoi nxjerrjen jashte të deputetëve dhe kalimin në votim.

Gazment Bardhi foli për mocionin me debat pas emisionit ne RAI3 që u rrezua sërish nga Lindita Nikolla duke sjellë bllokimin e podiumit nga deputetët e 'Rithemelimit'. Pas nderprerjesh me nga 5 minuta, seanca rifilloi normalitetin me fjalen e deputetin Agron Gjekmarkaj, për të cilin kur mori fjalen, Lindita Nikolla kerkoi largimin e Gardes nga podiumi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë