Gazeta Si – Një 17-vjeçar ka mbetur i plagosur me thikë këtë të enjte pas një sherri me një 18-vjeçar në shkollën e mesme në Baz të Matit gjatë orës së mësimit të edukimit sportiv. Policia njofton se ka arrestuar adoleshentin, nxënës i kësaj shkolle, si autor të dyshuar të ngjarjes.
Sipas policisë, sherri mes dy të miturve ka ndodhur në ambientin sportiv të shkollës, ku shkak dyshohet një konflikt për motive të dobëta.
Burime pranë spitalit Mat, bëjnë me dije se 17-vjeçari ka marrë plagë në krahë dhe në pjesën e barkut, gjë që i ka detyruar mjekët e këtij spitali ta nisin për mjekim më të specializuar në Spitalin e Traumës në Tiranë.
“Sot, rreth orës 10.30, në ambientin sportiv të shkollës së mesme në fshatin Baz, dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, shtetasi D.L., 18 vjeç, ka goditur me mjet prerës një 17-vjeçar, i cili është transportuar në spital për ndihmë mjekësore. Falë veprimeve të shpejta dhe reagimit të menjëhershëm, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat bënë të mundur kapjen dhe shoqërimin në Komisariat të autorit të dyshuar të ngjarjes, shtetasin D.L.”, informon policia.
Sipas burimeve paraprake, mësohet se dy adoleshentët e përfshirë në këtë sherr nuk kanë pasur konflikte të mëparshme.
Gjithashtu, u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale mjeti prerës që dyshohet se është përdorur gjatë konfliktit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




