Ka ndodhur

Sherr mes truprojave dhe klientëve nga Britania në lokalin e natës në Sarandë

Një 47-vjeçar nga Tirana është vënë në pranga, ndërsa 9 të tjerë janë vënë nën hetim për shkak të një sherri në Sarandë mes truprojave të lokalit të natës me disa klientë nga Britania e Madhe dhe shtetas kosovarë që jetojnë në vendin ishullor.

Ngjarja ka ndodhur në orët e vona të mbrëmjes në ambientet e një lokali një natë më parë, ku sipas policisë, ka rënë në pranga, Xh.D., banues në Tiranë.

Bëhet fjalë për të njëjtin lokal nate në Sarandë, ku një muaj më parë u plagos me armë zjarri njëri nga pronarët e këtij biznesi.

I ndaluari akuzohet për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”. Gjatë kontrollit fizik, policia i gjeti dhe sekuestroi një armë e ftohtë (thikë).

Gjithashtu u proceduan penalisht për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Prishja e qetësisë publike”, shtetasit: Xh.S., 25 vjeç, T.D., 25 vjeç, banues në Tiranë (të dy truproje), A.M., 23 vjeç, F.M., 27 vjeç, E.S., 21 vjeç, F.V., 19 vjeç, të katërt shtetas kosovarë, banues në Londër, A.B., 22 vjeç, M.N., 26 vjeç dhe M.T., 26 vjeç, të tre shtetas anglezë, banues në Londër (klientë në lokal).

U proceduan penalisht edhe shtetasit M.I., 37 vjeç dhe M.I., 41 vjeç, banues në Sarandë, të dy pronarë të lokalit ku ndodhi konflikti, për veprat penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Punësim i paligjshëm”, pasi dyshohen se kanë fshirë pamjet filmike të këtij konflikti që ka ndodhur brenda ambienteve të lokalit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë