Gazeta Si – Një sherr mes të miturve në një shkolle jo-publike 9-vjeçare në lagjen nr.3, Sarandë ka agravuar deri në përdorimin e mjeteve prerëse.
Sipas policisë, i plagosur ka mbetur një 15-vjeçar, i cili fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa autori 13-vjeçar është shpallur në kërkim nga policia.
Konflikti ka ndodhur për motive të dobëta mes nxënësve, ndërsa policia konfirmon se 15-vjeçari ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Ende nuk dihen shkaqet konkrete që çuan në përshkallëzimin e konfliktit, ndërsa policia ka marrë në pyetje nxënës, mësues dhe drejtues të institucionit arsimor. Po ashtu, pritet që të verifikohet sesi mjeti prerës ka përfunduar në ambientet e shkollës.
Kjo ngjarje vjen pas një serie incidentesh që kanë sjellë konflikte të rënda mes të miturve, ku më e fundit është plagosja e tre të rinjve me thikë gjatë një konflikti masiv mes dy grupeve në Shkodër.
Policia arrestoi dy të rinj, por një ditë më pas Gjykata e Shkallës së Parë vendosi lirimin me masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, për Klevin Thepi, 24 vjeç, dhe Doronesto Kulla, 19 vjeç.
Ndërkoh, më 25 nëntor, 15-vjeçari Erjon Boba u plagos në Durrës me thikë pas një konflikti me një bashkëmoshatar.
Pas disa ditësh në spital në betejë për jetën, i mituri ndërroi jetë më 4 dhjetor në Spitalin “Nënë Tereza”, ndërsa autori u arrestua nga policia.
Po ashtu një tjetër tragjedi ndodhi një vit më parë në Tiranë, ku nxënësi i shkollës “Fan Noli”, Martin Cani, u vra me thikë nga një bashkëmoshatar i tij gjatë një sherri mes të miturve. Autori i dyshuar i kësaj ngjarjeje, M.P., u dënua nga Gjykata e Tiranës me 16 vite burg.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




