Politike

Sherr mes opozitës dhe Ballës në Kuvend/ Noka: Do të të rrjep si kec! (foto)

Nga Gazeta ‘Si’- Një propozim i kreut te grupit të PS, Taulant Balla për 1 minutë heshtje në nderim 35-vjetorit të masakrës së 2 prillit 1991, kur 4 të rinj u vranë në protestën e fundit kundër regjimit komunist, u bë shkak për një tjetër përplasje mes opozitës dhe mazhorancës në sallën e Kuvendit.

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka mori fjalën dhe lëshoi ‘lumë’ akuzash ndaj Ballës duke e cilësuar si të lidhur me krimin.

“Jeni bandë dhe keni vënë në krye të grupit një kryebandit. Do të të rrjep si kec. Je ai që kërcënon dhe shantazhon deputetet e opozitës. Të rrjep si kec. Të bëj atë që as nuk të shkon në mendje”, i tha Noka Taulant Ballës.

Gjuha e përdorur jo vetëm ndaj Ballës, por edhe vetë Niko Peleshit, bëri që ky i fundit t’i ndërpresë fjalën dhe t’i tërheqë vëmendjen për fjalor të papërshtatshëm dhe i kujtoi se në asnjë rast fjalën nuk mund ta marrë me dhunë.

Deputetët e opozitës në grup bllokuan foltoren dhe nuk lejuan kolegët e mazhorancës që të mbanin fjalën. Bora Muzhaqi që po fliste nga vendi nuk u lejua nga deputetja demokrate Elda Hoti, e cila u filmua teksa i merrte kartën e deputetes.

Kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi akuzoi Niko Peleshin se është ai që po e çon Kuvendin drejt një konflikti fizik, pas debateve në sallë ku Noka bllokoi edhe foltoren. Bardhi tha se Peleshi nuk respektoi rregulloren dhe nuk lejoi opozitën që t’i kundërpërgjigje kërkesës së Taulant Ballës për të mbajtur 1 minutë heshtje në nderim 35-vjetorit të masakrës së 2 prillit 1991.

Sipas tij Balla u tall me familjarët e dëshmorëve pasi në sallë ishin vetëm 10 deputetë dhe duhej caktuar një orar i përshtatshëm kur të jenë të gjithë ligjvënësit në sallë.

“Kreu i grupit pasi u ngrit në foltore dhe bëri pis duke provokuar familjet 4 dëshmorëve të demokracisë të vrarë nga ish-sekretari i përgjithshëm i partisë suaj, vjen këtu dhe provokon dëshmorë, familjarë, dhimbjen e tyre. Ne kërkojmë fjalën t’iu përgjigjemi kërkesës. Në sallë janë deputetë ai thotë të mbajmë 1 minutë heshtje, me kë tallet ai. Në kërkojmë fjalën të shprehemi dhe ju refuzoni ta zbatoni. Ngrihet dhe kërcënon gratë deputete të opozitës. Si mundeni të silleni ju në këtë formë, të kërcënoni në çdo moment. Zotëria që guxoi të kërcënonte deputete femra do duhet të dalë përjashta. Kjo seancë të ketë mundësi të funksionojë në normalitet. I shoh zonjat e PS që zgërdhihen, kur fyet një femër, kur kërcënohet një femër në mënyrë të përsëritur nga i njëjti individ. Njëherë në foltore, njëherë me zë, njëherë pa zë”, tha Bardhi.

Kreu i grupit të PS, Taulant Balla tha se kërkesën për 1 minutë heshtje për masakrën e 2 prillit e bëri pasi e kishin kërkuar deputetët e Shkodrës.

“Deputetët e Shkodrës kanë kërkuar që grupi ynë ta propozojë në këtë 35-vjetor mbajtjen e 1 minutë heshtje në përkujtim të dëshmorëve të demokracisë, PS i respekton të gjithë dëshmorët. Skenarët e porositur dhe humbja e largpamësisë politike që kuvendi të gjente një momentin për të mbajtur 1 minutë heshtje, nuk propozova të mbahej menjëherë, por të gjehej një moment për të organizuar një gjë të tillë. Ato që thatë për PS, ajo është një çështje për të cilën Ruçi ka dalë me dëshirë para dritësisë dhe drejtësia ka folur qartazi sa i përket çdo lloj insituate politike. Keqardhje për këtë degradim”, tha Balla.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë