Gazeta Si - Një 37-vjeçar shqiptar mbeti i vrarë mbrëmjen e të mërkurës në Tavullia, në provincën e Pesaro Urbinos në Itali.
Mediat fqinje bëjnë me dije se Dritan Idrizi u godit tre herë me thikë në zemër pas një debati. Viktima ka ndërruar jetë në spitalin Cattolica (Rimini), ku ishte transportuar për një operacion.
Arsyet e sulmit nuk janë ende të qarta, por duket se ka qenë një debat i dhunshëm mes familjeve me origjinë shqiptare. Të paktën katër persona të tjerë u plagosën dhe janë dërguar në spitalin e Pesaros.
Hetimet nga policia po vijojnë, të koordinuara nga Prokuroria e Pesaros, për të kuptuar motivin e vrasjes dhe identifikimin e personit përgjegjës.
Sipas hetimeve fillestare, viktima ka shkuar me disa shokë në Tavullia, i armatosur me shkopinj dhe hekura, për të mbledhur një shumë prej 5 mijë eurosh.
Debati ka nisur për shkak të refuzimit të familjes tjetër për të paguar. Njëri nga anëtarët e grupit duket se ka goditur një prej familjarëve në kokë, dyshohet me një mjet të fortë, më pas një person i armatosur me thikë u kundërpërgjigj duke e goditur Idrizin tre herë në gjoks.
“Hetimet nga Karabinierët po vijojnë, të koordinuara nga Prokuroria e Pesaros, për të kuptuar motivin e vrasjes dhe identifikimin e personit përgjegjës. Sipas asaj që kuptojmë, viktima ka shkuar në Tavullia për të mbledhur një borxh (kredi) prej disa mijëra eurosh, për disa punë të kryera”, shkruan “corriereadriatico.it”. Katër persona të tjerë të përfshirë në përleshje pësuan lëndime. Për momentin askush nuk është arrestuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.