Gazeta Si - Pikërisht në ditën që po mbahej një marshim-protestë nga qytetarë të ndryshëm dhe prindër të shkollës "Fan Noli" për vrasjen makabër me thikë e 14-vjeçarit Martin Cani, një 20-vjeçar është plagosur me thikë në Tiranë për motive të dobëta.
Gjithçka ka ndodhur për një konflikt banal të çastit në "Qytetin Studenti", ku mësohet se 19-vjeçari A. A., ka goditur bashkëmoshatarin e tij A. D., jashtë rrezikut për jetën.
Nga deklarimet paraprake, ka rezultuar se dy të rinjtë kanë debatuar fillimisht me fjalë me pretendimin se "po shiheshin shtrembër" me dhe po i bllokonin rrugën njëri-tjetrit.
Menjëherë i dëmtuari është dërguar në Spitalin e Traumës, ku është konstatuar se ishte qëlluar 8 herë, me disa plagë në gjoks dhe duar, por pas ndërhyrjes është në gjendje të stabilizuar.
Sherri ka ndodhur në ambientet e jashtme të një Fast Food-i, aty ku siç shihet edhe në video ka shenja të dukshme gjaku.
Të plagosurit fillimisht i është dhënë ndihma nga qytetarët, ndërsa autori i plagosjes është kapur larg vendngjarjes, në tentativë për t’u larguar.
20-vjeçari mësohet se ka marrë disa plagë në trup dhe ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. Sa i përket autorit të dyshuar, policia thotë se ai është një 19-vjeçar.
Mësohet po ashtu se të dy të rinjtë ishin studentë në një universitet privat. Fatmirësisht konflikti përfundoi me plagosje të lehtë, ndërsa autori u vu në pranga.
“Më datë 21.11.2024, në Qytet Studenti, në rrugën “Sotir Kolea”, gjatë një konflikti dyshohet se shtetasi A. A., 19 vjeç, ka goditur me mjet të mprehtë shtetasin A. D., 20 vjeç, i cili si pasojë është dëmtuar dhe ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve. Po punohet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes“, tha policia e Tiranës në një njoftim paraprak për mediat.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.