Ka ndodhur

Sherr me grushte në Fakultetin Ekonomik në Tiranë, shefi i departamentit godet pedagogen dhe arrestohet

Gazeta Si - Shefi i Departamentit të Marketingut në Fakultetin Ekonomik në Tiranë, Mirdaim Axhami është arrestuar, pasi dyshohet se ka goditur me grusht vartësen e tij, pedagogen Liljana Billa (Elmazi).

Ngjarja, siç njofton policia, ka ndodhur për shkak të detyrës në ambientet e fakultetit, por nuk dihet ende arsyeja pse 43-vjeçari goditi me grushte vartësen e tij.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 arrestuan shtetasin Mirdaim Axhami, 43 vjeç, banues në Tiranë, pasi për shkak të detyrës, dyshohet se ka goditur me grusht vartësen e tij”, njoftoi policia.

Axhami është Shef Departamenti në Fakultetin Ekonomik të Tiranës. Ngjarja në fjalë u raportua fillimisht ditën e djeshme.

Të dy përfunduan në komisariat pas kallëzimit të pedagoges Billa e cila ka qenë dikur deputete e Partisë Demokratike.

Ajo ka pretenduar se Axhami e ka goditur. Ky i fundit ka pretenduar se thjesht e ka kapur për krahu.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë