Gazeta Si – Një sherr me sende të forta ka ndodhur të shtunën në mbrëmje në një lokal me muzikë në Palasë të Vlorës, ndërsa mbante koncert këngëtari i njohur grek Konstandinos Argiros.
Sipas pamjeve filmike, disa persona dhunojnë rëndë një person, duke e goditur vazhdimisht me grushte dhe shkelma mbi një tavolinë lokali.
Sipas burimeve paraprake, mësohet se shkak i përplasjes mes këtyre shtetasve ka qenë shampanja, ku palët kanë akuzuar njëri-tjetrin se janë lagur.
Lidhur me ngjarjen policia ka reaguar dy herë këtë të martë, duke njoftuar se sherri, ku mbetën të plagosur dy persona, ka ndodhur për motive të dobëta.
Sipas policisë i dëmtuar nga sherri ka mbetur 42-vjeçari Luçiano Koçeku dhe Fatbardh Aliaj, po 42 vjeç. Ndërkohë që fillimisht policia shpalli zyrtarisht në kërkim 2 prej tyre, Xhoni Spaho 28 vjeç nga Tirana dhe Genti Baleci 49 vjeç nga Durrësi.
Ndërsa pasditen e kësaj të marte, njoftoi se për sherrin masiv janë shpallur në kërkim edhe dy persona të tjerë, me numrin që në total shkon në 4. Konkretisht mësohet se bëhet fjalë për shtetasit Fatmir Bejo dhe Klajdi Cerri.
Fatmir Bejo 30 vjeç, rezulton i përfshirë në plagosjen me thikë të një personi, Mirel Ishka në shkurt të këtij viti në një lokal te “Komuna e Parisit”’ dhe në dhunimin e pengmarrjen për disa orë në prill të 2023 të biznesmenit të ndërtimit, Gjergji Fela, për një borxh të pretenduar prej 25 mijë euro.
Mbetet e paqartë nëse Fatmir Bejo ishte ende në kërkim dhe ka shkuar ndërkohë nën hundën e policisë, në koncertin në Palasë për tu argëtuar me shoqërinë.
Sipas informacioneve, një nga personat e shpallur në kërkim, Xhoni Spaho ka qenë më herët i përfshirë në politikë, kur kandidonte për deputet në zgjedhjet e vitit 2021, nga radhët e Partisë “Aleanca për Demokracinë e Re”.
“Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë, ka vijuar veprimet hetimore për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në konfliktin e ndodhur rreth orës 02:20 të mëngjesit të datës 25.08.2024, në ambientet e një kompleksi, në fshatin Palasë.
Pas këqyrjes së kamerave dhe verifikimeve të kryera, është bërë i mundur identifikimi i 2 personave të tjerë dhe shpallja në kërkim e tyre, konkretisht e shtetasve: F. B., 30 vjeç, banues në Durrës, dhe K. C., 32 vjeç, banues në Tiranë.
Më herët, policia ka shpallur në kërkim shtetasit Xh. S., 28 vjeç, banues në Tiranë, dhe G. B., 49 vjeç, banues në Durrës. Gjithashtu, nga veprimet hetimore është bërë i mundur edhe identifikimi i një tjetër shtetasi, i cili ka mbetur i dëmtuar në këtë konflikt për motive të dobëta, konkretisht shtetasi F. A., 42 vjeç, banues në Tiranë. Vijon puna për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, Xh. S., G. B., F. B., dhe K. C.”, – thuhet në njoftimin e policisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.