Me debate të ashpra ka nisur seanca maratonë e parlamentit pasditen e së mërkurës.
Deputetët demokratë të grumbulluar rreth Berishës kanë bllokuar disa herë foltoren, me pretendimin se janë përjashtuar nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike, duke u vendosur si të pavarur. Ndërsa një debat i ashpër ka qenë në lidhje me faktin se Kuvendi pritet të zgjedhë anëtarin e të Gjykatës Kushtetuese, ku si më favorit shihet Adrian Dvorani.
Deputeti demokrat Oerd Bylykbashi tha se Dvorani është një kandidat që vepron kundër ligjit.
“Çështja e dytë është për kandidatin e Gjykatës Kushtetuese. Është një kandidat, i cili ka qenë prokuror dhe ka kërkuar burg për ata që kërkuan lirm nga komunizmi. Është një kandidat që vepron kundër ligjit. I kam thënë që atë ditë kryeministrit, kë po bëni gati të sillni në Gjykatën Kushtetuese” tha Bylykbashi. Por kreu i grupit socialist, Taulant Balla replikoi duke deklaruar se Dvorani është cilësuar si kampion në luftën ndaj korrupsionit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Sekretari i non-gratës duhet ta lajë gojën 100 herë para se t’i zërë emrin në gojë kampionit të antikorrupsionit të shpallur nga Blinken. Foltorja e ka kusht ta sulmojë një gjyqtar të ndershëm si Ardian Dvorani. Por është jo etike që në fillim të seancës, kur nuk kemi shkuar ende tek ajo çështje. Kur kompetenca e kuvendit nuk është aspak të hyjë në një proces që e ka bërë KED”, tha Balla.
Ndërsa një debat i ashpër është zhvilluar dhe në mes demokratëve, konkretisht mes Flamur Nokës dhe Enkelejd Alibeajt ku nuk munguan as fyerjet.
“Je kokrra e legenit, ta tregoj unë pastaj. Këtu, këtu. Do vij të ta tregoj ty edhe atij tjetrit. Legen”, është dëgjuar ti thojë Noka.
Ndërkohë edhe Alibeaj është dëgjuar duke fyer deputetin Tritan Shehu.
“Mos ma bëj dorën ashtu legen”, i ka thënë Alibeaj.


Seanca u ndërpre për 10 minuta, pasi Flamur Noka dhe një grup deputetësh bllokuan foltoren. Por edhe pas pushimit të shkurtër rezultoi e njëjta situatë, Noka bllokoi foltoren, duke detyruar kryeparlamentaren Nikolli që t’ia japë fjalën ministres së Bujqësisë që të flasë nga vendi ku ulet zakonisht.

Por zhurma e krijuar nga demokratët duke goditur tavolinat, e detyruan Nikollin që të ndërpresë seancën për të marrë vendimin për përjashtimin e Flamur Nokës nga kjo seancë. “Është turp për këdo që ju shikon. Sipas rregullores, merret masa e përjashtimit për Flamur Nokën nga seanca plenare pasi po zaptoni Foltoren.’- u shpreh Nikolla. Pas këtij vendimi seanca iu rikthye normalitetit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




