Treg

Shërbimet dominojnë punësimet e reja

Sabina Veizaj- Edhe pse ankohemi për një ngërç të pazgjidhshëm në lidhje me kulturën e shërbimit në Shqipëri, prej kohësh, ekonomia jonë është vërejtur se është zhvendosur kah shërbimeve.

Ky sektor rezulton të ketë hapur më shumë dyert për punësime të reja në tremujorin e parë të 2018-ës. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, në krahasim me tremujorin e mëparshëm , punësimi u rrit në sektorin e shërbimeve me 1,4 % dhe në sektorin bujqësor me 1,1 %. Ndërsa në sektorin e industrisë punësimi pësoi një rënie prej 1,1 %. Në tre muajt e parë të 2018-ës, punësimi për popullsinë 15 vjeç e lart pësoi një rritje prej 0,8 %.

Numri i të punësuarve në ekonomi u rrit me 4.9% në terma vjetorë, pas rritjes me 4.3% të shënuar në tremujorin e mëparshëm.

BE, tre në katër punë janë në shërbime

Zhvendosja drejt një ekonomie shërbimesh është një prirje afatgjatë që ishte vërejtur tashmë në BE në gjysmën e dytë të shekullit të 20-të. Sipas të dhënave të Eurostat, punësimi në shërbime përbënte 74% të punësimit total në BE në 2017-ën, krahasuar me 66% në vitin 2000, ndërsa punësimi në industri u ul nga 26% në vitin 2000 në 22% në 2017-ën dhe bujqësia u përgjysmua nga 8% në 4%. Sa i përket vlerës së shtuar, shërbimet gjeneruan 73% të vlerës totale të shtuar në vitin 2017, industria 25% dhe bujqësia 2%.

Punësimi në shërbime si % totalit të punësimit

Mes vendeve anëtare, punësimi në sektorin bujqësor në vitin 2017 ishte më e larta në Rumani (24% e punësimit total), Bullgaria (19%), Greqia (11%) dhe Polonia (10%), ndërkohë që punësimi i lartë në sektorin industrial është regjistruar në Republikën Çeke (36%), Sllovaki dhe Poloni (të dyja 31%) dhe Rumani (30%). Aktivitetet e shërbimit përfaqësonin 80% të totalit të punësimit ose pak më shumë  në Holandë, Mbretërinë e Bashkuar, Belgjikë, Maltë, Francë, Danimarkë, Qipro dhe Luksemburg.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë