Biznes

Shërbimet brenda bareve dhe restoranteve, bizneset pesimistë: 20% kanë falimentuar

Sipërmarrësit e bareve dhe restoranteve në vend nuk janë entuziast për çeljen e hapësirave të brendshme të bizneseve që zotërojnë.

Ata shprehen se kriza e shkaktuar nga COVID-19 i ka goditur rëndë dhe pas rihapjes, zbatimi rigoroz i protokollit anti-COVID-19 ua ka vështirësuar punën jashtëzakonisht veçanërisht në termat financiare duke bërë që 20% e bareve dhe restoranteve të falimentojnë dhe të shkurtojnë 20 % të stafit. Kurse humbjet sipas tyre llogariten në 60% në muaj.

“Jemi të deprimuar. Jemi goditur shumë nga kriza dhe vazhdojmë të kemi vështirësi duke mos arritur të rekuperohemi dot. Si mund të jemi të kënaqur që të hapim mjediset e brendshme duke zbatuar protokollin që hapësira mes tavolinave të jetë 2 metër. Duke përjashtuar bar-restorantet e mëdha, të tjerët mesatarisht nuk janë më shumë se 50 metër katrorë. Kjo do të thotë që nuk mund të vendosësh më shumë se 5 tavolina, teksa pa zbatuar protokollin hapësira mund të mbaj edhe 20 e më shumë tavolina.”- thotë për gazetën “Si” Enri Jahaj, kreu i Shoqatës së Bareve dhe Rsetoranteve.

Ai thotë se sipëramrrësit e fushës janë pesimistë edhe për të ardhmen, pasi kanë humbje çdo muaj, pas gropës së madhe gjatë muajve të karantinës dhe nuk kanë shpresë për përmirësim sepse nuk ndjejnë asnjë mbështetje nga qeveria.

“Ne do donim që qeveria të mendonte incentive fiskale për sektorin tonë. Ka ide inovatore plot, siç ka bërë Anglia që shteti paguan 50% të faturave të qytetarëve që frekuentojnë restorantet. Ka plot ide të ngjashme nëse ka vullnet për të ndihmuar. Ne diskutojmë me kolegët çdo ditë falimentin”- tregon Jahaj duke shtuar se rinisja e muzikës pas orës 8.00 PM është harruar fare, ndërkohë që do të nxiste më shumë njerëzit që të frekuentin baret dhe restorantet.

Incentivat për bar-restorantet në botë

Vende të ndryshme në botë kanë ndërmarrë incentiva të larmishme fiskale për sektorë të ndryshëm, veçanërisht për ata që u goditën më shumë prej krizës që shkaktoi pandemia e koronavirusit që janë turizmi dhe shërbimet.

Greqia ka reduktuar TVSH-në për baret dhe restorantet me 50% përveç pijeve.

Spanja edhe pse shumë hotele u mbyllën, u paguan të gjithë punonjësve 80% të pagës dhe sigurimet shoqërore e shëndetësore.

Kurse Kroacia nuk i ndali asnjëherë dasmat dhe mbledhjet për ceremonitë funerale, por kufizoi veç numrin e pjesëmarrësve në 50 duke u dhënë mundësi bareve dhe restoranteve të punojnë.

Mali i Zi në “Paketën  3 të Rimëkëmbjes” akordoi me 1,2 miliard euro, ku 89 milion euro ishin për Turizmin e bar-restorantet.

Po ashtu edhe Britania e Madhe ndërmori incentiva për sektorët më të godtur siç ishin mikpritja ku përfshihen baret dhe restorantet duke reduktuar TVSH nga 20% në 5%.

Kjo masë ka hyrë në fuqi që nga 15 korriku dhe do të zgjasë deri më 12 janar 2021 për ushqimet dhe pijet jo-alkhoolike.

Masa e reduktuar e TVSH-së aplikohet edhe për hotelet dhe strukturat e tjera akomoduese.

Po ashtu është aplikuar edhe një skemë për bar-restorantet “Ha jashtë për të ardhur në ndihmë”. Kjo skemë parashikon për çdo person që darkon në restorant do të ketë 50% ulje të faturës përveç pijeve alkhoolike.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë