Biznes

Shërbim me një ndalesë për financimin e fermerëve

Qeveria shqiptare me mbështetjen e Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA) ka ngritur së fundmi Qendrën ABA (Agro Biznes Asistencë) shërbim me një ndalesë të vetme, që kontribuon në zhvillimin e biznesit dhe ndërtimin e kapaciteteve financiare të fermave të vogla familjare në Shqipëri.

Objektivi kryesor i projektit është të përmirësojë përfshirjen financiare të fermave të vogla familjare në Shqipëri nëpërmjet zhvillimit të produkteve dhe shërbimeve financiare dhe jofinanciare që i përgjigjen dhe përshtaten me fleksibilitet nevojave të fermerëve.

Projekti mbështet ofrimin e shërbimeve jo-financiare nëpërmjet themelimit të Qendrës ABA.

Qendra ABA është projektuar të shërbejë si një pikë ndërlidhëse kyçe informacioni, njohurish & zhvillimi të kapaciteteve, aksesi në treg, për të përmbushur nevojat e çdo fermeri shqiptar për zhvillimin e biznesit të tyre dhe ndërtimin e kapaciteteve financiare.

Pritet që qendra gjithashtu të shërbejë si një Qendër për vendosjen e kontakteve dhe ndërtimin e rrjetit të marrëdhënieve mes aktorëve të zinxhirit të vlerës, e cila ndihmon në  përmirësimin e mundësive të biznesit për fermerët me anë të shërbimeve të personalizuara jo-financiare në çdo hap të rritjes së biznesit të tyre dhe pa asnjë kosto

Projekti është katërvjeçar, me një buxhet afërsisht 4 milionë euro (504 milionë jen japonez). Projekti synon të përmirësojë jetën e rreth 75 mijë fermerëve të vegjël nëpërmjet zhvillimit të mikrokredisë dhe përmirësimin e shërbimit të tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë