Mjedis

Kreu i OBSH: Shenjat jetësore të planetit janë alarmante! Çfarë duhet bërë

Nga Tedros Adhanom Ghebreyesus* - Nëse planeti ynë do të ishte një pacient, atëherë ai do të shtrohej në reanimacion. Sepse shenjat e tij jetësore janë alarmante. Ka shumë ‘ethe’, teksa secili nga 9 muajt e fundit ka rezultuar më i nxehti në histori, ndërsa ne po ecim me shpejtësi drejt kapërcimit të pragut prej 1.5 gradë Celcius rritje të temperaturës mesatare globale mbi nivelin e periudhës së para Revolucionit Industrial.

Po ashtu, është i rrezikuar kapaciteti i mushkërive të tij për shkak të shkatërrimit masiv të  pyjeve që thithin dioksidin e karbonit dhe prodhojnë oksigjen. Dhe shumë nga burimet e ujit të Tokës, limfa e saj, janë të ndotura. Më shqetësuesja nga të gjitha, është se gjendja e tij po përkeqësohet me shpejtësi.

Pra a mund të cilësohet e habitshme, pse shëndeti i njerëzve është shumë i rrezikuar, kur vetë shëndeti i planetit nga i cili varemi është po ashtu në rrezik të madh? Shëndeti i njerëzve, kafshëve dhe mjedisi ynë janë ndërthurur së bashku në një lidhje të pazgjidhshme, por të brishtë.

Ne i përkasim të njëjtit ekosistem unik, që qëndron mbi një ekuilibër shumë delikat. Dhe kjo nuk është diçka e re. Hipokrati, babai i mjekësisë, shkroi që në shekullin V Para Erës Sonë: “Mjeku trajton, por është natyra ajo që shëron!”.

Tani ne po ri-mësojmë atë që njerëzit e kanë ditur gjithmonë, por që nga koha e Revolucionit Industrial e kemi harruar ose injoruar: që kur dëmtojmë mjedisin tonë, dëmtojmë edhe veten tonë. Për shekuj me radhë ne e kemi plaçkitur planetin tonë.

Dhe tani ne po paguajmë çmimin, me një krizë planetare të trefishtë: klima, ndryshimi dhe humbja e biodiversitetit dhe ndotja. Sigurisht që ato kanë një ndikim të menjëhershëm tek katastrofat natyrore të rënda dhe gjithnjë e më të shpeshta, të cilat shkaktojnë vdekje dhe lëndime, por edhe dëmtime të spitaleve dhe infrastrukturës tjetër thelbësore.

Pastaj janë pasojat afatmesme dhe ato afatgjata: më shumë valë të nxehtit ekstrem sjellin më shumë sëmundje kardiovaskulare; ndotja e ajrit nxit kancerin e mushkërive, astmën dhe sëmundjen kronike obstruktive pulmonare; kimikatet si plumbi shkaktojnë paaftësi mendore, sëmundje kardiovaskulare dhe të veshkave; disa pesticide, shkaktojnë shkallë më të lartë të vetëvrasjeve në vendet ku ato janë lehtësisht të disponueshme dhe thatësira dhe mungesa e ujit ndikojnë në rënien prodhimin e ushqimit, duke i bërë më pak të përballueshme ekonomikisht dietat e shëndetshme.

Shtetet e vogla ishullore në zhvillim janë veçanërisht në rrezik, pasi Toka po bëhet më pak e punueshme dhe po ritet niveli i oqeaneve. Ndërkohë, ndryshimi i klimës po sjell ndryshime në sjelljen, shpërndarjen, lëvizjen, shtrirjen dhe intensitetin e mushkonjave, shpendëve dhe kafshëve të tjera, të cilat po përhapin sëmundje infektive si Ethe Dengo dhe malaria në zona të reja.

Që nga fillimi i këtij shekulli, numri i rasteve të raportuara me Ethet Dengo është rritur me 8 herë, duke prekur tashmë mbi 130 vende. Nga ana tjetër, tregtimi i paligjshëm i kafshëve të egra e rrit rrezikun e përhapjes zoonotike, gjë që mund të shkaktojë një pandemi, dhe e thekson më tej rëndësinë e parandalimit parësor për të zvogëluar rrezikun.

Kërcënimet për shëndetin nga ndryshimet klimatike, ndotja dhe humbja e biodiversitetit, nuk janë rreziqe hipotetike në të ardhmen. Ato janë pikërisht këtu dhe tani, gjë që e bën shëndetin arsyen më bindëse për veprimin kundër ndryshimeve klimatike. E megjithatë, gati 30 vjet që nga Konferenca e parë e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, samiti COP28 në Dubai vitin e kaluar ishte i pari që përfshiu edhe një ditë tërë diskutimesh kushtuar shëndetit.

OBSH vlerëson se ndotja, mbetjet dhe kimikatet përbëjnë rreth 14 milionë vdekje në vit, ose rreth një të katërtën e barrës globale të sëmundjeve. Megjithatë, ndikimet nuk janë të barabarta. Njerëzit në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, mbajnë peshën kryesore të pasojave shëndetësore, sidomos ata në zonat urbane me zhvillim të shpejtë.

OBSH-ja po mbështet vendet në mbarë botën që të përgatiten dhe t’u përgjigjen këtyre kërcënimeve, duke i bërë sistemet e tyre shëndetësore më miqësore ndaj klimës dhe rezistente ndaj klimës, dhe duke u ofruar provat dhe mjetet e nevojshme për të adresuar ndikimet shëndetësore të ndotjes, mbetjeve dhe mbetjeve dhe kimikatet.

Por këtë nuk mund ta bëjë e vetme asnjë agjenci. Shkaqet e kësaj krize janë shumë-sektoriale. Po kështu janë edhe ndikimet e tij, dhe po e tillë duhet të jetë edhe përgjigja. Ne u futëm së bashku në këtë katrahurë. Dhe po së bashku duhet të dalim prej saj.

Për këtë arsye Organizata Botërore e Shëndetësisë, Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin, Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë e Kombeve të Bashkuara dhe Organizata Botërore për Shëndetin e Kafshëve, po punojnë së bashku në një grup katërpalësh për të mbështetur vendet në përqafimin e qasjes “Një Shëndet”.

Përmes saj, ato e pranojnë se politikat për shëndetin e njerëzve, shëndetin e kafshëve, bujqësinë dhe mjedisin duhet të jenë të informuara reciprokisht dhe të përforcohen po reciprokisht. Në Asamblenë e Mjedisit të Kombeve të Bashkuara të mbledhur në Nairobi javën e kaluar, vendet miratuan rezoluta të rëndësishme mbi cilësinë e ajrit, kimikatet dhe mbetjet, stilin e jetesës së qëndrueshme, pesticidet e rrezikshme dhe mbi politikën e ujit që janë të rëndësishme për nxitjen e veprimeve të qëndrueshme dhe shumë-sektoriale për të mbrojtur shëndetin e njerëzve dhe planetit.

Po ashtu, ato  u zotuan të vazhdojnë punën për negocimin e një instrumenti ligjor ndërkombëtar për ndotjen plastike. “Një Shëndet”, është gjithashtu një element i rëndësishëm i marrëveshjes ligjërisht të detyrueshme të pandemisë, mbi të cilën po negociojnë ende shtetet anëtare të OBSH-së.

Pacienti Tokë është në rrezik. Improvizimet nuk po funksionojnë më. Në nivel kombëtar, rajonal dhe global, ne kemi nevojë për një veprim transformues të sistemeve të energjisë dhe transportit, sistemeve ushqimore dhe atyre shëndetësore.

Dhe si një agjenci të OKB-së, ne duhet të bëjmë më shumë për të hequr dorë nga mendësia e shikimit të punëve vetjake dhe të mos-ndarjes së informacionit me të tjerët, dhe për të punuar së bashku për veprim shumëpalësh efektiv, gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm.

Pasi nuk kemi zgjidhje tjetër. Në pragun e Krishtlindjeve të vitit 1967, më pak se 4 muaj para vrasjes së tij, Martin Luther King tha: “E gjithë jeta jonë është e ndërlidhur. Që të gjithë jemi të mbërthyer në një rrjet të pashmangshëm reciprok, të lidhur në fat i përbashkët. Çfarëdolloj gjëje që prek dike, na prek të gjithë në mënyrë indirekte”. Për gjithçka që na bën të ndryshëm, ne jemi një specie, që ndajmë të njëjtën ADN dhe të njëjtin planet. Ne nuk kemi të ardhme të ndryshme, por një të ardhme të përbashkët.

*Shënim: Tedros Adhanom Ghebreyesus është Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Burimi: El Pais. Përshati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë