Është e vështirë të kujtosh të gjitha tarifat që ka vendosur ish-presidenti Donald Trump, nga Kina në Meksikë. Dje ai njoftoi se shumë shpejt do të miratojë tarifën 25% për importet me BE-në.
Fiksimi i Trump me tarifat është i çuditshëm, pasi ato përbëjnë vetëm 2% të të ardhurave federale. Parë nga Europa, obsesioni i Trump duket alarmues. Në letër, 4 nga 5 propozime- tarifa e importeve, tarifa për çelikun dhe aluminin, tarifat reciproke dhe masat për mjetet, mund të godasin fort bllokun. Në këmbim, zyrtarët europianë kanë theksuar disa herë se këto tarifa janë negative për biznesin dhe shumë të këqija për konsumatorët.
Nga kjo perspektivë, duket pak e pazakontë ideja që Europa duhet t’i kundërpërgjigjet njësoj SHBA-së. Nuk ka kuptim. Europa fiton pak dhe humb shumë.
Ekonomistëve u pëlqen të mos bien dakord, por zakonisht dakordësohen në një gjë: Në ekonomitë e zhvilluara, tarifat, një taksë që firmat e mëdha dhe konsumatorët paguajnë për importet janë ide të varfra.
Tarifat e Trump nuk janë të nevojshme, ato vijnë dhe ikin sipas humorit të presidentit. Nuk ishte surprizë që tarifat e vendosura po nga Trump në 2018-n, shkaktuan një humbje prej 7.2 mld dollarësh për SHBA-në.
Këto të dhëna ilustrojnë një të vërtetë të papërshtatshme për tifozët e tarifave: Edhe nëse disa industri përfitojnë pak nga tarifat e reja (për shembull, prodhuesit e çelikut në SHBA), një gamë e gjerë prodhuesish në rrjedhën e poshtme përballen me kosto më të larta për shkak të tyre, gjë që rëndon punësimin, investimet dhe eksportet. Në një skenar të tillë, e vetmja mundësi për Uashingtonin për të zbutur ndikimin inflacionist të tarifave do të ishte subvencionimi i prodhimit më të kushtueshëm të SHBA.
Kjo nuk do të ndodhë. Edhe me ritme të larta, tarifat e Trump nuk do të gjenerojnë para të mjaftueshme që qeveria amerikane të mburret – e lëre më të zëvendësojë taksat mbi të ardhurat, siç fantazoi Trump gjatë fushatës së tij zgjedhore vitin e kaluar.
Problemet me tarifat nuk mbarojnë me kaq. Firmat zakonisht kalojnë kosto më të larta tek konsumatorët, të cilët përfundimisht mbajnë pjesën më të madhe të barrës tarifore. Shifrat janë larg nga një gabim rrumbullakimi: Instituti Peterson për Ekonominë Ndërkombëtare llogariti se nëse miratohen, tarifat e propozuara për Meksikën dhe Kanadanë (përveç tarifës prej 10% të vendosur tashmë ndaj Kinës) mund t’i kushtojnë një familjeje tipike amerikane të paktën 1200 dollarë në vit.
Tarifat hakmarrëse ndaj Shteteve të Bashkuara do të ishin një ide po aq e keqe për Europën. Nëse BE-ja ecën në këtë rrugë, prodhuesit europianë do të përballeshin me kosto më të larta të inputeve në një kohë kur shumë sektorë tashmë kanë probleme mes çmimeve të larta të energjisë dhe konkurrencës kineze në rritje. (Prodhuesit gjermanë të makinave janë një shembull veçanërisht i mirë i firmave që do të prekeshin më shumë.)
Dhe ashtu si tarifat e SHBA-së do të dëmtojnë familjet amerikane, tarifat e BE-së do të vepronin gjithashtu si një taksë për konsumatorët europianë, duke nxitur inflacionin në një kohë kur kostoja e jetesës është tashmë shqetësimi kryesor i tyre, sipas një sondazhi të kryer nga Parlamenti Europian vitin e kaluar. Në të kundërt, vlerësimet sugjerojnë se shmangia e hakmarrjes ndaj tarifave të SHBA-së do të rezultonte në një goditje minimale ndaj PBB-së së BE-së, një ulje prej vetëm 0.1%. (Ky modelim supozon një tarifë të SHBA-së prej 60 përqind për Kinën dhe një normë prej 10% për ekonomitë e tjera).
Përtej ekonomisë, nuk është e vështirë të shihet se si europianët mund të përfundojnë në luftime të ashpra politike mbi formën e tarifave hakmarrëse. Shumë ekonomi të BE-së kanë lidhje të thella tregtare me Shtetet e Bashkuara në një mënyrë ose në një tjetër. Disa prej tyre (si Austria, Finlanda, Gjermania, Irlanda, Italia dhe Portugalia) dërgojnë më shumë se 20 përqind të eksporteve të tyre jashtë BE-së në Shtetet e Bashkuara, duke sugjeruar se gatishmëria e tyre për të rrezikuar shkaktimin e një lufte tregtare të paparashikueshme transatlantike mund të jetë e ulët.
Dhe shumë ekonomi të BE-së (përfshirë Belgjikën, Francën, Irlandën, Lituaninë, Luksemburgun dhe Holandën) mbështeten te Shtetet e Bashkuara si burimi kryesor i importeve, që do të thotë se tarifat e BE-së do të nxisnin inflacionin e brendshëm. Shtoni faktin se ende shtete të tjera anëtare, si Suedia, duan që çdo hakmarrje e mundshme të jetë në përputhje me rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë, gjë që është praktikisht e pamundur. Arritja në një konsensus në mbarë BE-në se si t’i përgjigjemi Trumpit do të jetë qartësisht e vështirë.
Çështjet me koordinimin e BE-së nuk do të përfundonin këtu, të paktën për dy arsye. Së pari, këmbëngulja e Trump për trajtimin e vendeve të BE-së rast pas rasti do të thotë që qeveritë e BE-së përballen me dilemën e të burgosurve. Teoria e lojës sugjeron që të shkosh vetëm dhe të përpiqesh të ndërpresësh marrëveshje dypalëshe me Trump, në vend të bashkëpunimit me fqinjët e BE-së, mund t’i lërë ata më mirë. Disa shtete anëtare, si Hungaria, duken të prirur të jenë të qetë me Trump gjithsesi, duke e bërë të pamundur që ata të kenë asgjë më shumë se një tarifë simbolike të BE-së. Së dyti, rreziku i fragmentimit është gjithashtu i lartë kur bëhet fjalë për paketën e karotave të Komisionit Europian që supozohet të bindin Trump të kursejë BE-në nga tarifat; propozimet përfshijnë premtime për të blerë më shumë armë amerikane.
Kjo ngre pyetjen se si, nëse jo me tarifa, europianët duhet t’i përgjigjen veprimeve të Trump.
Barriera të tilla përfshijnë infrastrukturën e dobët kufitare, mungesën e harmonizimit rregullator dhe bashkëjetesën e shumë regjimeve kombëtare të prokurimit. Gatishmëria e Europës për të vendosur tarifa de fakto mbi veten vjen me pasoja serioze: Tregtia ndërmjet vendeve anëtare të BE-së është më pak se gjysma e nivelit të tregtisë midis shteteve të SHBA.
Nëse të mos bësh asgjë si hakmarrje nuk është një opsion për arsye politike, atëherë udhëheqësit e BE-së mund të bëjnë më keq sesa të shikojnë Kinën për këshilla mbi hakmarrjen e zgjuar. Pas vendosjes së tarifës prej 10% të Trump për të gjitha importet amerikane të mallrave kineze, përgjigja e Pekinit ka qenë jashtëzakonisht e heshtur. Kina miratoi një tarifë prej 15% për importet e gazit natyror të lëngshëm të SHBA-së dhe qymyrit të koksit, përveç një tarife prej 10% për naftën e papërpunuar. Në total, këto mbulojnë vetëm 13.9 miliardë dollarë të importeve vjetore nga Shtetet e Bashkuara, ose vetëm 0.5 për qind të importeve totale të Kinës.
Duke bërë këtë, Pekini ka miratuar një strategji të ndjeshme të vendosjes së tarifave hakmarrëse që do të mbështesin qëllimin e tij të deklaruar prej kohësh për të rritur sigurinë e energjisë. Kjo është pikërisht ajo që duhet të bëjnë europianët: të përdorin Trump 2.0 si një mundësi për të përshpejtuar miratimin e politikave që çojnë para ekonominë e bllokut./
Nga Agathe Demarais, për Foreign Policy. Këshilltare në Këshillin e Europës për marrëdhëniet ndërkombëtare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.