Shendet

Shëndetplota ministre e shëndetësisë, a të dhemb ndonjëherë koka?

Nga Gazeta Si- Një ministre e shëndetësisë nuk ka mënyrë më të bukur të tallet me njerëzit sesa kur thotë se “nuk e kam vënë re rritjen e çmimeve të ilaçeve sepse nuk kam pasur vetë nevojë për ilaçe”.

Shëndetplota ministre e shëndetësisë Evis Sala edhe pse kur bëri këtë deklaratë mund të ketë qenë e papërgatitur nga pyetja, ajo, për sa kohë pyetet si ministre nuk mund të përgjigjet si qytetare. Ajo më shumë se çdokush duhet të dijë çmimet barnave sepse firmos për to.

Ministria e Shëndetësisë, përmes Komisionit të Çmimit të Barnave, çdo vit miraton çmimin e barnave, bazuar në VKM “Për ngritjen dhe mënyrën e funksionimit të Komisionit të Çmimit të Barnave”.

Por, përpos firmës në fund që mund ta këtë dhënë në nxitim e sipër, në deklaratën e saj ajo i hedh më shumë benzinë zjarrit që ka ndezur me atë që thotë, duke shtuar më tej se ka parë që ka pasur në media një zhurmë shumë të madhe për këtë temë.

Jo më larg se në fillim të shkurtit kishte një debat të gjerë mediatik mes Urdhrit të Farmacistëve dhe Fondit të sigurimit të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor, ku farmacistët denonconin Fondin se ka ndryshuar çmimet e barnave pa njoftim paraprak.

Sipas Urdhrit, mungesa e komunikimit e ka bërë të pamundur njohjen në kohë të çmimeve të reja dhe marrjen e masave të nevojshme për pasqyrimin e tyre, si dhe ka penguar reduktimin e stokut ekzistues të barnave të blera me çmime më të larta.

Në një deklaratë të ndarë për mediat, Urdhri i Farmacistëve tha se kjo situatë ka sjellë vështirësi në furnizimin e farmacive me barna.

“Kjo gjendje po çon drejt bllokimit të zinxhirit të furnizimit me barna dhe po rrezikon drejtpërdrejt aksesin e pacientëve tek barnat e nevojshme, duke përbërë një rrezik real për shëndetin e tyre”, thuhet në deklaratë.

Dhe sikur as kjo të mos e ketë shtyrë ministren që të kërkojë informacion, fakti që për të pacientët janë parësorë, duhet të mjaftonte!

“Në karrierën time, për mua pacientët kanë qenë kryesorët, e kam adhuruar pjesën e pacientëve, nuk e kam ndalur kurrë”, tha ministrja.

Duke cituar fjalët e saj, se “më mungon kontakti me pacientët”, ministrja ndoshta duhet të rivendosë kontaktet me pacientët për të mësuar pak më shumë hallet e tyre, ose thjeshtë të lexojë çfarë firmos apo të verifikojë çfarë dëgjon.

Deklaratën që në sytë e shumë pacientëve duket e pamëshirshmen dhe e papranueshme, ministrja e shoqëroi me një lajm që e cilësoi si pozitiv: në vitin 2026 nuk do të ketë rritje të çmimeve të barnave krahasuar me vitin 2025.

Por rritjen e çmimeve në vitet e fundit ajo nuk e shpjegon, duke theksuar se nuk ka qenë pjesë e sistemit dhe se nuk dëshiron të komentojë punën e paraardhësve të saj.

Në fund, mbetet pyetja që pacientët e bëjnë çdo ditë në farmaci: nëse çmimet e ilaçeve janë një shqetësim i përditshëm për qytetarët, a mund të jetë një çështje që kalon pa u vënë re nga vetë drejtuesja e sistemit shëndetësor?

Nuk duhet që një ministër shëndetësie të sëmuret që të mësojë çmimet e barnave, përkundrazi duhet të jetë shëndetplotë që të dijë se çfarë vendos për shqiptarët.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë