Shendet

Shëndeti mendor, më shumë meshkuj të diagnostikuar me depresion, gratë e kanë pranuar bashkëjetesën me të

Nga Gazeta Si – Problemet e shëndetit mendor janë në rritje. Sipas raportit “Gratë dhe shëndeti mendor në Shqipëri”, janë gratë ato që vuajnë më shumë nga problemet e shëndetit mendor dhe perceptimi në popullatë është shumë herë më i lartë se diagnostikimi real.

“Nëqoftëse pyeten individët a i ka diagnostikuar një mjek nëse janë apo jo në depression, përqindja do të dalë shumë e vogël, rreth 2-3 për qind. Por nëse u drejtohet pyetja nësa janë ndjerë ndonjëherë në depresion, shifrat janë shumë të larta. Janë ndjerë në depresion shumicën e kohës. Dhe pyetjes nëse janë ndjerë në depresion, 57 për qind e meshkujve të pyetur, kanë thënë se janë ndjerë shpesh në depresion, në ndryshim nga 69 për qind e femrave”, tha eksperti i shëndetit publik Alban Ylli gjatë prezantimit të raportit.

Ndërsa pyetjes nëse e kanë menduar vetëvrasjen vitin e fundit, rreth 5 për qind e meshkujve kanë thënë “po” dhe 9 për qind e femrave.

Ylli tha se në vendin tonë janë rreth 40 mijë raste të regjistruara te mjeku i familjes, persona që kanë një diagnozë të shëndetit mendor, ndërkohë që 4 mijë persona janë të shtruar.

Këto shifra, eksperti thotë se mund të tregojnë se mjekët dhe qytetarët kanë tendencën të “qëndrojnë larg spitaleve por mund të jetë edhe stigma që vazhdon të jetë prezente në vendin tonë”.

Në raport gjithashtu shkruhet se në Shqipëri ka dy herë më shumë meshkuj në krahasim me gratë që diagnostikohen me depresion nga një profesionist dhe kjo mund të zbulojë një “pranim” ose “normalizim” me ndjenjën e depresionit tek shumë gra, të cilat priren të mos shkojnë te mjeku për problemin. Për më tepër, dallimi i rëndësishëm midis depresionit të diagnostikuar dhe depresionit real të raportuar nga popullata (të paktën 5 herë më i lartë), demonstron një shkallë të ulët të përdorimit të shërbimeve shëndetësore, e ndikuar më së shumti nga stigma e lartë për situatën.

Sipas të dhënave, rreth 25 për qind e totalit të personave te regjistruar me probleme të shëndetit mendor, ose mbi 10,500 raste janë me skizofreni.

Në rastin e çrregullimeve të rënda mendore si skizofrenia dhe depresioni bipolar, nuk ka dallime konsekuente gjinore në prevalencë, por burrat zakonisht kanë një fillim më të hershëm të skizofrenisë, ndërsa gratë kanë më shumë gjasa të shfaqin forma serioze të depresionit bipolar.

Tabela përmbledhëse e mësipërme tregon se dhuna në familje shkakton trauma fizike dhe mendore në më shumë se një të tretën e popullsisë femërore shqiptare, bazuar tek një studim i fundit kombëtar në popullatë, që tregon se 37 për qind e grave dhe vajzave raportojnë se kanë përjetuar një formë të dhunës në familje gjatë jetës së tyre. Ky konstatim konfirmohet nga një tjetër anketë që aplikon metodologji të ngjashme, e cila tregoi se 39 për qind e grave dhe vajzave shqiptare kanë përjetuar një lloj forme dhune gjatë 12 muajve para anketës. 29 për qind e tyre raportuan se kishin përjetuar dhunë psikologjike dhe 8 për qind dhunë fizike dhe/ose seksuale. Literatura tregon se ata që vuajnë, janë tre herë më të rrezikuar nga zhvillimi i sëmundjeve mendore, duke përfshirë ankthin, depresionin dhe çrregullimin e stresit post-traumatik. Nga ana tjetër, ata që vuajnë nga probleme të shëndetit mendor kanë më shumë gjasa të abuzohen apo edhe të tentojnë vetëvrasjen.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë