Treg

Shëndeti i bankave u përmirësua në 2022

Nga Gazeta ‘SI’ – Indeksi i shëndetit të sektorit bankar u përmirësua më tej gjatë vitit të kaluar dhe ra në në nivelin 0.415. Rritja e indeksit përfaqëson përkeqësim të shëndetit të bankave, ndërsa rënia e tij nënkupton një performancë të përgjithshme më të mirë.

Indeksi i analizuar nga Banka e Shqipërisë, përbëhet nga pesë tregues, të cilët përfaqësojnë pesë parametrat kryesorë të shëndetit të sektorit bankar: kapitali, cilësia e aktiveve, përfitueshmëria, likuiditeti dhe eficienca.

Përfitueshmëria ishte arsyeja kryesore e përmirësimit të këtij indeksi, që lidhet me rritjen e kthimit nga aktivet e sektorit bankar. Rezultati neto financiar i sektorit bankar në fund të vitit 2022 shënoi fitim prej 21.7 miliardë lekësh (sipas standardeve të raportimit të Bankës së Shqipërisë), pothuajse në të njëjtin nivel me një vit më parë.

Edhe nënindekset e eficiencës (të lidhura me peshën e shpenzimeve të veprimtarisë) dhe të cilësisë së aktiveve, treguan përmirësim të lehtë gjatë periudhës.

Nënindeksi i cilësisë së aktiveve zbriti në 0.37 në fund të vitit, nga 0.73 në fund të vitit 2014, si rezultat i rënies së konsiderueshme të raportit të kredive me probleme. Raporti i kredive me probleme vitin e kaluar ra më tej në 5%, nga 5.65% një vit më parë.

Nënindeksi i kapitalizimit të veprimtarisë nuk shfaqi ndryshime të dukshme gjatë vitit të fundit, ndërsa ai i likuiditetit ka shënuar një vlerë më të lartë gjatë periudhës, si rezultat i uljes së raportit të depozitave të klientëve ndaj aktiveve të përgjithshme. Megjithatë, kontributi i këtij nëntreguesi në nivelin e agreguar të rrezikut në kohë ka ardhur në rënie, veçanërisht gjatë 2 viteve të fundit.

Për grupin e bankave me rëndësi sistemike (BKT, Credins, Intesa Sanpaolo dhe OTP Albania), indeksi sinjalizon përmirësim në krahasim me gjashtë muaj dhe një vit më parë. Këto banka shfaqin përmirësim në tre prej pesë treguesve, por në mënyrë të veçantë përmirësimi vërehet në treguesin e përfitueshmërisë, që tregon rritjen e kthimit nga aktivet dhe të marzhit neto nga interesat.

Indeksi tregon një ecuri më pak të mirë për bankat me kapital shqiptar. Për këto banka vërehet përmirësim në drejtim të likuiditetit, ndërkohë që katër treguesit e tjerë dhe në mënyrë të veçantë përfitueshmëria dhe eficienca paraqiten në nivele më pak të mira në krahasim me dy periudhat paraardhëse.

Në tërësi, gjatë viteve 2014-2022, indeksi i agreguar i shëndetit bankar flet për përmirësim të shëndetit dhe rritje të qëndrueshmërisë së sektorit bankar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë