Nga Gazeta Si- Komisioni i shëndetësisë ka miratuar në parim projektligjin “Për barazinë gjinore”, duke i hapur rrugën diskutimeve nen për nen të projektligjit që ka sjellë jo pak debate.
Relatori i opozitës, Zija Ismaili, u shpreh kategorikisht kundër kalimit të ligjit dhe kërkoi që nenet e tij t’i nënshtrohen një referendumi kombëtar.
“Ka një shqetësim shumë të madh nga komunitetet fetare dhe shoqata të ndryshme për këtë projektligj. Prek shumë elementë të shoqërisë dhe të jetës shqiptare. Nëse miratohet pasojat do të jenë fatale. Ndryshimet janë drastike, me pasoja të parikuperueshme mbi familjen. Kërkojmë tërheqjen dhe nëse do të jetë e mundur të kalohet në një referendum kombëtar”, tha Ismaili.
Ndërkohë Eduart Shalsi, përfaqësues i maxhorancës në komision, tha se ky projektligj nuk synon të rregullojë asgjë tjetër përveç barazisë gjinore.
Ai tha edhe se mund të ketë 1 ose 2 propozime për qartësim konceptesh.
“Kur të diskutojmë nen për nen kam edhe unë disa propozime që do ti shoh dhe do vendos nëse ia vlejnë që ti mbështesim”, tha ai.
Ndërsa Denada Seferi, zv.ministra e Shëndetësisë, e cila e prezantoi projektligjin tha se është një detyrim i Bashkimit Europian për Shqipërinë.
“Ky ligj nuk parashikon gjini, por barazinë mes burrit dhe gruas. E ka të shkruar qartë në çdo nen se çfarë do të thotë gjini. Nuk ka të bëjë me çështjet biologjike me përcaktimin e gjinisë. Nuk është e vërtetë që kemi përcaktuar gjini të shumëfishtë”, tha Seferi, duke shtuar ‘përkatësia e shumëfishtë’, qëndron për “një zonjë që jeton në fshat, një zonjë që është rome, mund të jetë me aftësi të kufizuara, apo pabarazi të tjera”.
“Këtu nuk flasim në asnjë vend as për transgjinorë, nuk flasim as për ndërhyrje kirurgjikale, nuk flasim as për martesat, as për familjen as për cenimin e familjes”, tha Seferi.
Duke u përgjigjur pyetjeve nëse është përfshirë shoqëria civile apo grupet e interesit në diskutime, Seferi tha se takimet që janë bërë me shoqërinë civile kanë qenë të hapura dhe nuk kanë rekorde se kush ka marrë pjesë.
“Komunitetet fetare nuk kanë qenë të përfshirë. Nuk e kemi menduar të arsyeshme”, tha zv.ministrja.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



