Një sërë zyrtarësh të lartë europiane por edhe amerikanë duket se kanë rikthyer idenë e zbatimit të marrëveshjes së 1972 mes Gjermanisë Perëndimore dhe Gjermanisë Lindore, si model për Serbinë dhe Kosovën
Modeli i dy Gjermanive, njëra e udhëhequr nga blloku lindor dhe tjetra e mbështetur nga krahu perëndimor, është përmendur shumë por diskutuar pak, duke u hedhur vazhdimisht poshtë nga zyrtarët e lartë në Prishtinë. Gjermania këmbëngul që Beogradi dhe Prishtina të nënshkruajnë një marrëveshje të ngjashme me atë që u nënshkrua në vitin 1972 ndërmjet ish-Republikës Demokratike të Gjermanisë dhe Gjermanisë Federale.
Në thelb kjo nënkupton që Serbia nuk do ta njihte zyrtarisht Kosovën megjithëse do të hapte rrugë në anëtarësimin e saj në Kombet e Bashkuara dhe do të respektonte sovranitetin e saj. Misionet diplomatike do të njiheshin si përfaqësime të përhershme dhe do të vendoseshin në kryeqytetet e njëra tjetrës ndërsa marrëveshje tjera do të përfshinin qarkullimin e mallrave, njerëzve dhe shërbimeve si dhe do të rregullonin planifikimin hapësinor dhe ambientin.
I nënshkruar në kulmin e Luftës së Ftohtë dhe mes frikës së shpëtthimit të një tjetër konflikti në zemër të Europës, traktati njohu sovranitetin e të dy kombeve, rivendosi komunikimet diplomatike dhe hapi rrugën për “marrëdhëniet e mira fqinjësore” dhe i dha fund për një periudhë të shkurtër kohe.
Diskutimet u drejtuan nga zëvendëskancelarër Egon Bahr (për Republikën Federale të Gjermanisë) dhe Michael Kohl (për Republikën Demokratike Gjermane) por truri i këtij traktati ishte kancelari i Gjermanisë Perëndimore Willy Brandt. Pas nënshkrimit nga Brandt, pakti u ratifikua vitin e ardhshëm nga Gjermania Perëndimore, pavarësisht kundërshtimin e krahut të djathtë.
Palët negociuese si nga Blloku Lindor ashtu edhe nga ai Perëndimor, të vetëdijshëm për përgjegjësinë e tyre për ruajtjen e paqes; në ankth për të dhënë një kontribut në sigurinë e Europës; të vetëdijshëm se paprekshmëria e kufijve dhe respektimi i integritetit territorial dhe sovranitetit të të gjitha shteteve në Europë brenda kufijve të tyre aktualë ishte një kusht themelor për paqen, pranuan se dy shtetet gjermane duhet të përmbahen nga kërcënimi ose përdorimi i forcës.
Përfaqësuesit kryesorë të Republikës Federale të Gjermanisë dhe Republikës Demokratike Gjermane, por edhe negociatorë nga SHBA-ja, Rusia dhe Britania, ranë dakort në atë kohë për të mirën e njerëzve në të dy Shtetet Gjermane, se:
- -Republika Federale e Gjermanisë dhe Republika Demokratike Gjermane do të zhvillonin marrëdhënie normale dhe të mira fqinjësore me njëri-tjetrin në bazë të të drejtave të barabarta.
- -Republika Federale e Gjermanisë dhe Republika Demokratike Gjermane do të udhëhiqeshin nga qëllimet dhe parimet e Kombeve të Bashkuara, veçanërisht ato të respektimit të pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial
- -Republika Federale e Gjermanisë dhe Republika Demokratike Gjermane do të zgjidhin çdo mosmarrëveshje ndërmjet tyre me mjete paqësore dhe të përmbaheshin nga kërcënimi ose përdorimi i forcës. Ata riafirmojnë paprekshmërinë e kufirit që ekziston midis tyre
- -Republika Federale e Gjermanisë dhe Republika Demokratike Gjermane do të vepronin në supozimin se asnjë nga të dy Shtetet nuk mund të përfaqësojë tjetrën në sferën ndërkombëtare ose të veprojë në emër të saj.
- -Republika Federale e Gjermanisë dhe Republika Demokratike Gjermane do të vepronin në parimin se juridiksioni sovran i secilit prej dy Shteteve është i kufizuar në territorin e vet. Ata respektojnë pavarësinë dhe autonominë e njëri-tjetrit në punët e tyre të brendshme dhe të jashtme.
- -Republika Federale e Gjermanisë dhe Republika Demokratike Gjermane do të shkëmbenin Misione të Përhershme diplomatike.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes, ulja në gjunjë e kancelarit Brandt përpara Memorialit të Getos në Varshavë në 1972 është një nga gjestet më ikonike të historisë moderne Evropiane. Atij iu dha edhe Çmimi Nobel për Paqen. Marrëveshja e tij synonte shfaqjen e një Gjermanie të bashkuar dhe një Europe të lirë. “Objektivi i kësaj marrëveshje ishte të ribashkonte një popull të përçarë”, tha kancelari kur Muri i Berlinit u shemb më 9 nëntor 1989.
Marrëveshja mes dy Gjermanive ndihmoi për të hedhur farën e demokracisë edhe në vendet e Traktatit të Varshavës. Qëllimi i Brandt ishte të inkurajojë procesin e ngadaltë dhe të vështirë të ribashkimit të Europës Lindore me pjesën tjetër të botës. Marrëveshja e vitit 1972 ishte baza e të gjitha parimeve kryesore të sigurisë së Europës. Dispozitat e traktatit mbi të drejtat e njeriut dhe lëvizjen më të lirë të njerëzve, informacionit dhe ideve u kthyen në inspirim për aktivistët e të drejtave të njeriut dhe lëvizjeve të paqes që sfiduan Komunizmin në Evropën Lindore dhe Bashkimin Sovjetik deri në shkatërrimin e tij. Willy Brandt kishte parashikuar këtë efekt dinamik të marrëveshjes: Ai besonte në diplomaci.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.