Politike

Shembjet në Theth, Berisha: Asnjë ndërtesë e prishur nuk është në zonën e mbrojtur

Gazeta Si – Kryetari i PD, Sali Berisha, bëri akuza të reja lidhur me ngjarjet e fundit në Theth të Shkodrës, ku u shembën dhjetëra objekte të ndërtuara pa leje në zonën turistike. Ai e cilësoi “Paketën e Maleve” të qeverisë një farsë, ku sipas tij, Edi Rama hiqet si pronar i maleve.

“Thethi përbën në historinë e Shqipërisë një nga krimet shtetërore më të rënda, më të shëmtuara. Dëshmi e shpërthimit të urrejtjes së një njeriu që ka urrejtjen njerëzore si shtyllë kryesore të moralit të tij të kalbur.”

Sipas tij, ndërhyrja e ushtrisë dhe shembja e ndërtimeve janë kryer në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën, ndërsa fajësoi drejtpërdrejt kryeministrin Rama se dha urdhrin për aksionin.

“Sot që flasim, në Theth janë hordhitë e ushtrisë, të cilat në kundërshtim me çdo ligj, në kundërshtim flagrant me Kushtetutën, janë shpalosur me urdhër të armikut të egër të Thethit dhe kryejnë detyrat që i ka ngarkuar Rama.”

Berisha mohoi që objektet e shembura të jenë në zonë të mbrojtur, duke sqaruar se ato ndodhen në zonën urbane të Thethit, ku lejohet ndërtimi sipas rregullave të parashikuara për parkun kombëtar.

“Asnjë ndërtesë nuk është në zonën e mbrojtur, të gjitha ndërtimet janë në zonat urbane. Po, Thethi është park kombëtar, por ka një zonë urbane ku ndërtohet. Ndërtime druri, siç përcakton rregullorja për Thethin, druri ose guri”. Sipas Berishës, në të gjitha rastet është ndërtuar mbi tokë private, jo në tokë publike apo të zaptuar.

Berisha e mbylli deklaratën me akuza politike dhe morale ndaj kryeministrit, duke e cilësuar “të pabesë e të pamoral”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë