Ne rrjet

Shembja e urës së Xhenovas: Rruga drejt tragjedisë

Zjarrëfikësi Davide Capello la pas një tunel dhe filloi te ecte mes shiut të rëndë, në urën e Xhenovas. Papritur dëgjoi një zhurmë të llahtarshme, jo shumë larg makinës së tij. Për fat të keq, nuk ishte bubullimë.

Capello hodhi sytë përpara dhe pa një re të madhe pluhuri të bardhë që ngrihej mes mjegullës dhe shiut. Një limuzinë e bardhë që ndodhej pak përpara tij duket se ishte përpirë nga hiçi. Ai u mundua të frenonte por  humnera e madhe që  ndodhej përpara tij po afrohej. Papritur e pa veten në rënie të lirë, xhami filloi të thyhej ndërkohë që copa të mëdha betoni po fluturonin pas tij. "Jam i vdekur! Unë jam i vdekur!” thirri ai.

Ura Morandi u shemb atë ditë të ftoht gushti, duke u marrë jetën 43 personave, ndërkohë që dhjetëra makina ranë nga 150 metra lartësi. Shembja e urës, një objekt krenarie për qytetarët dhe një nyje e domosdoshme transporti të përditshëm për mijëra njerëz, ka shkaktuar një debat të hidhur në Itali mbi përgjegjësinë dhe shkaktarët e katastrofës.

“New York Times” ka rikrijuar tragjedinë duke përdorur përshkrimet e hetuesve dhe pamjet e kapura nga një kamerë sigurie. Një profesor inxhinierie në Universitetin e Milanos, Carmelo Gentile, zbuloi sinjale shqetësuese në testet e kryera në tetor të vitit të kaluar, në një nga pjesët e shembura. Ai paralajmëroi kompaninë që menaxhonte urën, “Autostrade per l'Italia”, por ajo nuk e dëgjoi kurrë rekomandimin e tij për të kryer një studim më të plotë kompjuterik dhe për të përforcuar urën me sensorë të përhershëm.

"Ndoshta ata e nënvlerësuan rëndësinë e informacionit", tha profesor Gentile në një intervistë.

Kompania nuk i mohoi kurrë paralajmërimet e profesorit, por tha se askush nuk i kishte perceptuar si rast urgjent. Në një deklaratë, gjatë kësaj jave, “Autostrade per Italia” tha se sugjerimet e Gentile u përfshinë në një propozim për rikonstruktimin e urës në qershor, por fajësoi Ministrinë e Infrastrukturës për disa muaj vonesa për autorizimin e punës. Intervistat me dhjetra punonjës të ekipeve të shpëtimit, hetues dhe inxhinierë e ekspertë, si dhe një ekzaminim i pamjeve të kapura nga dronët dhe helikopterët, i mundësuan “New York Times” të ndërtonte një planimetri të plotë të ngjarjes. Duke qënë se hetimi është në fazat e hershme, përfundimet mund të ndryshojnë dita-ditës. Megjithatë, zhurma që dëgjoi Capello, ishte, sipas profesor Gentiles, shkëputja fillestare e çelikut brenda kolonave që mbanin urën. Videoja tregon se nuk u deshëm më shumë se tre ose katër sekonda që e gjithë ura të shembej.

Shembja e urës Morandi, në Xhenova

"Nuk ishte e mundur të shpëtonim urën, por ndoshta do të mund të shpëtonim personat që vdiqën gjatë kolapsit", tha profesori.

Kur u ndërtua në vitet 1960, për Xhenovan “Morandi” ishte më shumë se një urë. Ishte një objekt krenarie dhe inovacioni që kishte mbledhur projektuesin e saj, Riccardo Morandin dhe arkitektë dhe inxhinierë me famë botërore. “Edhe pse në një vend me struktura të panumërta historike, ajo  u bë një nga urat më të rëndësishme të Italisë", tha Gentile. “Struktura i dha një identitet të gjithë zonës përreth. Arriti të bëhet pjesë e peizazhit."

Por inxhinierët e kuptuan gradualisht se struktura kishte kolona mbajtëse shumë të dobëta. Andre Herrmann, një inxhinier i njohur amerikan e përshkroi rrezikun në mënyrën më të qartë të mundshme, duke thënë se: "Nëse bie një kolonë, do të bjerë e gjithë ura”.

Por zoti Morandi besonte se veshja e betonit do të mbronte kabllot e çelikut brenda nga konsumimi i tepërt.

"Strukturat e betonit do të jenë të përjetshme- tha Herman- Ky ishte mentaliteti i asaj kohe. Por Morandi e kishte gabim.”

Ndërtimi i urës Morandi

Çarjet në beton lejuan futjen e ujit dhe çeliku filloi të dobësohej, deri sa ura u hap për makinat në vitin 1967. Por ndryshe nga kabllot e zhveshura, problemet e tjera të urës, ishin të vështira për t'u zbuluar. Në fund të viteve 1990, korrozioni dhe probleme të tjera me kolonat në pjesën lindore të urës u bënë aq serioze sa qeveria u detyrua t’i rinovonte. Për arsye që nuk janë shpjeguar plotësisht, “Autostrade per Italia”, e cila mori kontrollin e urës në vitin 1999, nuk ka kryer të njëjtin veprim me kolonat e tjera të urës, duke përfshirë edhe atë që u shemb. Por kompania ishte mjaft e shqetësuar nga përkeqësimi i dukshëm i urës dhe tetorin e kaluar, dhe i kërkoi profesor Gentile që të testonte dëmet që mund të fshiheshin thellë brenda betonit.

Probleme me ndërtimin dhe mirëmbajtjen

Kur bie fjalat tek urat, profesori është një lloj “muzikanti” mes inxhinierëve të ndërtimit. Ai dëgjon tingujt që bëjnë urat dhe përcakton nëse janë të sigurta, ose jo. Duke vendosur pajisje të vogla në pika të ndryshme të objektit, ai ka kryer testimin e rreth 300 urave anembanë botës. Kur tingujt janë të paqëndrueshëm, puna duhet të shoqërohet me studime të mëtejshme. Tetorin e kaluar, Gentile regjistroi frekuencat e urës Morandi. Pjesa më e madhe e urës dukej mirë. Por dy kullat e jugut shhfaqën probleme të mëdha.

Ai dyshoi për kabllot e fshehura brenda betonit, disa probleme me pikat ku lidheshin kolonat me rrugën, apo probleme të tjera në strukturë. Për të qenë i sigurt, ai rekomandoi që ura të pajiset me sensorë dhe të ndërmerreshin studime shtesë, të cilat nuk u kryen kurrë. Kompania nuk ngriti asnjë alarm të veçantë lidhur me urën e Xhenovas në Ministrinë e Infrastrukturës. Por “Autostrade per Italia” tha se i kishte plotësuar të gjitha obligimet për  mirëmbajtjen e urës, mesatarisht dy herë më të larta se ato të objekteve të tjera në Itali. Në fund të vitit 2017 ose në fillim të vitit 2018, testet treguan se ura ishte dobësuar me ritme të shpejta. Menjëherë pas shembjes, qeveria populiste italiane fajësoi kompaninë koncesionare për katastrofën dhe e akuzoi për mirëmbajtje të dobët.

Shembja e urës Morandi, në Xhenova

"Ishte një skenë lufte"

Pasi makina e rij ra në humnerë, Capello nuk kishte asnjë ide sesa kohë qendroi pa ndenja.

“Mendoja se kisha vdekur”, tha ai për Times. Rënia shkatërroi dritaren e pasme të makinës. Ai u plagos në kokë dhe në qafë. Sapo hapi sytë pa se kishte ende të vendosur rripin e sigurimit. Ai ishte gjallë, por kishte nevojë për ndihmë.

Jashtë, shiu vazhdonte të binte. Një kamion kishte rënë nga ura, duke bllokuar trafikun. Qindra shishe uji ishin shpërndarë kudo.

“Me duket sikur po ecja në një zonë të minuar", tha Sergio Olcese, një nga zjarrfikësit e parë që mbërriti në vendngjarje. Disa makina qendronin të varura në kabllot e çelikut. Era e gazit kishte mbushur ajrin. Por shiu i rëndë e dëmtoi pluhurin e betonit të pluhuruar. Olcese kujton se dëgjoi një nënë që kërkonte vajzën e saj, e cila kishte mbetur e bllokuar nën rrënojat. "Kamila! Kamila !, thërriste ajo." Zëri i saj që na lutej për t’i shpëtuar të bijën, është zëri i vetëm që mbaj mend nga ajo ditë", kujton ai./New York Times/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë