Bota

Shembja e urës në Baltimorë, dyshohet se avaria u shkaktua nga nafta e ndotur

Gazeta Si – Hetimi për shembjen e urës “Francis Scott Key” në Baltimorë të SHBA-ve, e cila u godit nga anija e mallrave “Dali” të martën, do të përfshijë gjithashtu kontrolle për karburantin me të cilin ishte furnizuar anija përpara se të largohej nga porti.

Sipas gazetës “Wall Street Journal”, hetuesit synojnë të verifikojnë hipotezën se humbja e fuqisë së anijes gati 300 metra të gjatë mund të jetë shkaktuar nga karburanti i ndotur dizel që mdodhej në rezervuarët e anijes.

Gazeta nënvizon se ende asnjë hetues nuk ka hipur në anijen e mallrave, e cila ka mbetur e mbërthyer në shtyllën e urës dy kilometra e gjysmë të gjatë, në të cilën u përplas mëngjesin e së martës.

Sipas dëshmisë së një prej anëtarëve të ekuipazhit, një orë pasi ngriti spirancën nga porti i Baltimorës, anija humbi energjinë: “Anija u mbyll, ne humbëm aftësitë e drejtimit dhe sistemet elektronike”, tha ai, sipas të cilit motorët e anijes “ndaluan”.

Ndërkohë, kreu i rojës bregdetare të Baltimorës, admirali Shannon Gilreath, njoftoi pezullimin e kërkimeve me polumbarë për të zhdukurit, duke dhënë pak shpresa për të gjetur dikë ende gjallë.

“Duke pasur parasysh temperaturën e ujit dhe kohën që ka kaluar që nga shembja e urës, ne nuk besojmë se do të jemi në gjendje të gjejmë ndonjë nga gjashtë personat e zhdukur ende gjallë”, tha ai.

Ndërkohë, rezulton se anija me kontejnerë që u përplas në urën e Baltimorës, kishte kaluar dy inspektime në vitin 2023.

Autoriteti Portual i Singaporit njoftoi se certifikatat që vërtetonin integritetin strukturor dhe pajisjet e “Dali”-t, ishin të vlefshme në kohën e aksidentit.

Anija me ngarkesa mallrash të ndryshme mban flamurin e Singaporit, është 48 metra e gjerë, 300 metra e gjatë dhe është ndërtuar në vitin 2015. Ajo ishte nisur për në Colombo dhe duhet të kishte mbërritur në destinacionin e saj më 22 prill.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë