Trashëgimi

Shembja e maternitetit, si duhej restauruar monumenti i kulturës

Nga Luljeta Nelallari - Ministria e Shëndetësisë ka vendosur që materniteti “Mbretëresha Geraldinë” t’i nënshtrohet rikonstruksionit dhe muret e një pjese të godinës janë hedhur në tokë. 

Por godina është shpallur monument kulture i kategorisë së dytë më 5 mars të vitit 2007 dhe shembja e një pjese të saj ka shkaktuar debat në rrethin e arkitektëve e specialistëve të monumenteve, të cilët janë kundër kësaj shembjeje. 


Materniteti “Mbretëresha Geraldinë”, monument kulture

Arkitektja Doriana Musai shprehet për Gazetasi.al se është kundër kësaj shembjeje, duke qenë se kjo godinë mban statusin “monument kulture”. 

“Statusi Monument Kulture është status ligjor dhe u jepet objekteve, të cilat bartin vlera arkitektonike, urbane, historike dhe kulturore. Legjislacioni në fuqi, jep orientimet se si duhen ruajtur dhe zhvilluar këto objekte pjesë e fondit të trashëgimisë tonë”, shprehet Musai për Gazetasi.al

Arkitektja dhe pedagogia Doriana Musai

Ajo thekson se godina kishte mundësinë të restaurohej pa u prishur, duke qenë se sot teknologjia e mundëson këtë gjë. 

“Çdo godinë monument kulture, ka mundësinë të restaurohet, pavarësisht statusit të degradimit. Teknologjia sot na jep mundësinë të rikuperojmë elementë arkitektonike apo konstruktive që para 20 apo 30 vjetësh konsideroheshin të pariparueshëm”, vijon ajo argumentimin e saj për Gazetasi.al, ndërsa shton se “institucionet kanë detyrimin ligjor të bëjnë konsultim publik dhe të jenë transparent në çdo hap të vendimmarrjes. Vendimet duke përjashtuar qytetarin janë shkelje e demokracisë dhe të drejtave të qytetarëve ndaj qytetit”. 

Edhe për planifikuesin urban, Artan Kacani, godina nuk mund të shembej duke qenë se është trashëgimi historike.

“Ndërtesa nuk duhet shembur, ajo është pjesë e një trashëgimie historike, e cila ndjek parimet e arkitekturës dhe urbanistikës moderne në Shqipëri. Përtej këtij fakti ndërtesa është model i shërbimit universal të drejtës së shëndetit, të fokusuar te nënat e reja dhe fëmijët e porsalindur. OMNI (Opera Nazionale di Maternita e Infanzia), ashtu si edhe në Itali ishte standard i urbanistikës, i cili duhet përmbushur në çdo lagje të përbërë nga 20.000 banorë e tutje. Me prishjen e kësaj godine humbasim edhe të drejtën nesër për të kërkuar në standardet e urbanistikës një shërbim të shkallës familjare në lagje si modeli i OMNI apo i ngjashëm me të”, shprehet Kacani për Gazetasi.al

Planifikuesi urban, Artan Kacani

Kacani thekson se sipas ligjit për Planifikimin e Territorit 2014, qeveria duhet të bënte më parë një konsultim me qytetarët për prishjen e ndërtesës. 

“Dhe jo vetëm dëgjesa, por fokus grupe, formime dhe informime, tavolina të rrumbullakëta e shumë forma të tjera të parashikuara nga ligji në fjalë”, shprehet Kacani. 

Ndërkohë, drejtoria e spitalit “Mbretëresha Geraldinë”, në një reagim të saj e cilëson këtë ngjarje si një moment të shumëpritur për spitalin. Drejtoria thotë se pjesa e shembur ishte jashtë funksionit që prej tërmetit të vitit 2019.

“Fillimi i punimeve për rindërtimin dhe zgjerimin e Maternitetit ‘Mbretëresha Geraldinë’ është një moment shumë i rëndësishëm jo vetëm për ne si staf mjekësor, por së pari për kujdesin dhe shërbimin dinjitoz për nënat e reja dhe të porsalindurit. Projekti i rikonstruksionit dhe zgjerimit të spitalit tonë, ruan autenticitetin e godinës historike dhe rindërtohet e zgjerohet shtesa që ishte dëmtuar nga tërmeti. Sqarojmë se pjesa e shembur që do të ndërtohet nga themelet ishte jashtë funksionit që prej tërmetit të shtatorit, e shpallur e pabanueshme nga Instituti i Ndërtimit, sepse nuk kishte siguri për shkak të dëmtimeve dhe ishte e rrezikshme për të punuar dhe për të mbajtur aty nënat dhe të porsalindurit. Ndërsa godina kryesore do rehabilitohet, do të ruhet fasada dhe gjithë elementet historike. Ky është një projekt i shumëpritur për ne si staf mjekësor, pasi do të sigurojë kushte dinjitoze për nënat e reja dhe fëmijët që vijnë në jetë në maternitetin tonë”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Spitalit "Mbretëresha Geraldinë”. 

Projekti i rikonstruksionit është marrë përsipër nga Instituti i Ndërtimit dhe pretendohet që të kryhet për 36 muaj, por nuk përcaktohet se kur kanë nisur dhe kur duhet të përfundojnë. Ndërsa buxheti i caktuar për projektin është shuma e 466 milionë lekësh.

Projekti parashikon rikonstruksionin e godinave ekzistuese dhe një ndërtim të ri të përbërë nga 3 kate.

Reparti i parë i maternitetit është inauguruar më 7 maj 1937 pranë spitalit civil “Zogu I” për t’u kthyer në maternitetin e Tiranës që prej vitit 1942, nga firma italiane “Motta Scandurra” dhe përfundoi në nëntor të vitit 1942.

Spitali Universitar Obstetrik – Gjinekologjik “”Mbretëresha Geraldinë” ka funksionuar si shtëpi lindje që nga viti 1940, por vetëm në dt 28.11.1942 doli zyrtarisht urdhri nga Ministria e Financave e asaj kohe.

Drejtuesi i pare i këtij institucioni si obstetër i Spitalit Civil “Zogu I” ishte prof. Giussepe Gerrassi, i ardhur në Shqipëri në fund të viteve ’30.

Kirurgët e parë që punuan edhe si obstetër ishin Veneziano Lozzi, Jani Basho, Frederik Shiroka, Spiro Treska etj. Universiteti i Tiranës filloi zyrtarisht aktivitetin në vitin 1952, ndërsa Fakulteti i Mjekësisë u përfshi në këtë strukturë pak më vonë. Në këtë periudhë spitali funksiononte si Strukturë Universitare për lëndën e Obstetrikë – Gjinekologjisë dhe u quajt Materniteti Nr.1.

Më 8 dhjetor 2004 me urdhër nga Ministria e Shëndetësisë i vihet emri: Spitali Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë”, emër që mban dhe sot.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë