Gazeta Si - Banorët e zonës së ‘5 Majit’, Laprakës, Paskuqanit dhe Kodrës së Priftit, janë mbledhur sërish para Kuvendit për të protestuar kundër shembjes së banesave të tyre.
Me parrulla në duar, banorët kërkojnë të marrin një dëmshpërblim të plotë të banesave të tyre dhe t’u tregohet me saktësi se kur do t'i jepen në dorë çelësat e shtëpisë së re.
Më pas, ata kanë shkuar para ambasadës amerikane në Tiranë në rrugën e Elbasanit për të përcjellë mesazhin e tyre. Situata në këtë zonë ka qenë mjaft e ngarkuar, ku banorët janë grumbulluar në trotuare dhe rrugë, duke bllokuar trafikun.
Por policia ka krijuar një kordon dhe nuk i lejon banorët që të afrohen pranë ambasadës. Ata janë ulur këmbëkryq në rrugë dhe vijojnë protestën e tyre.
Ata kërkuan nga ambasadorja Kim, që të ketë reflektim nga parlamentarët që marrin ligje të gabuara. "Të na trajtojnë njëherë të vetme si shtetas amerikan në Shqipëri, zonja Kim, kërkojmë dinjitet, kërkojmë të jemi të denjë edhe ne të themi 'o sa mirë me qenë shqiptar' dhe jo 'sa mirë me qenë amerikan'. Kërkojmë ndihmën tuaj zonjë. Kërkojmë sërish ndihmën tuaj.”, tha një qytetar.
Banorët e “5 Majit” preken nga projekti i procesit rindërtimit, ndërsa banesat e Paskuqanit, Laprakës dhe Kodrës së Priftit preken nga projekti i ndërtimit të Unazës së Madhe, pjesë e urbanizimit të Tiranës. Ata kërkojnë transparencë lidhur me projektin e ‘Unazës së Madhe’ dhe të arrihet një akt marrëveshje sipas ligjit.
Nënë Liza, e moshuara që është kthyer tashmë në simbol të protestës së banorëve të “5 Majit” ishte sot sërish përpara Parlamentit. Ajo kërkoi ndër të tjera që të marrin kontrata të rregullta për pronat e tyre.
Nënë Liza tha se që prej datës 19 janar kur u shembën banesat po flenë jashtë dhe janë lënë në mëshirë të fatit. Sipas saj, Bashkia Tiranë u ka dhënë dokumente false, ndërsa situatën e cilësoi si luftë brenda për brenda.
“Jemi pro zhvillimit, por jo të na nxjerrin jashtë në mëshirë të fatit. I bëj thirrje policisë të mos fusin njerëz se jemi popullsi civile. U bëj thirrje tu japin kontrata të gjithëve. Unë jam në rrugë të madhe sot me 13 familjarë. Nuk jemi duke bërë luftë me serbin, as me turkun, jemi në luftë brenda për brenda. I bëj thirrje Gledis Nanos, se iku atë ditë, nuk kemi gjuajtur ne mbi policinë, por ata mbi ne. U bëj thirrje deputetëve se për votën vijnë. U bëj thirrje të plotësojnë letrat që duhen, jo false. S’ka shtet dhe polici që më gënjen mua. Unë nuk lëshoj firmë. Që prej datës 19 po flemë jashtë. Protesta do vazhdojë ditë për ditë”, tha ajo.
Një nga banorët e “5 Majit”, tha në prononcim për mediat se shpreson që kryeministri duhet të reagojë për këtë padrejtësi që po iu bëhet.
Ashtu si një javë më parë, banorve u janë bshkuar edhe deputetët e Grupit të Rithemelimit të PD, që mbështesin Sali Berishën, Noka, Këlliçi dhe Vokshi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.