Gazeta Si - Një ditë para aksionit të radhës të IMT-së në zonën e “5 Majit” për shembjen e disa banesave, banorët e kësaj lagje e kanë zhvendosur protestën e tyre para ARRSH-së.
Së bashku me ta, kanë qenë edhe banorë të zonës së Paskuqanit dhe Laprakës, të cilët edhe ata preken nga projekti i rindërtimit të Unazës së Madhe.
Një nga banorët, debatoi me një punonjës, të cilit i tha që më mirë t’i regjistrojnë për ushtarë në Ukrainë, sesa t’i trajtojnë në këtë mënyrë. Banori u shpreh se duan ta dinë se kush fshihet pas këtij krimi.
ARRSH në përgjigje të banorëve është shprehur se po operon me ASHK dhe po analizojnë situatën, duke shtuar se është herët për të dhënë një përgjigje konkrete.
“Kush fshihet pas këtij krimi, Lulzim Basha, Edi Rama kush fshihet pas këtij krimi? Këtë duam ne. Na thuhet se do na jepen shtëpi me qira, dilni kontrolloni nëse gjeni një shtëpi me qira edhe unë do ta marr. Cilin do të nxjerrin jashtë që të futemi ne. Kjo nuk është pjesa jote, por ti duhet t’ia përcjellësh eprorit tënd. Më mirë na regjistroni ushtarë për në Ukrainë dhe e mbyllim këtë kapitull”, u shpreh banori.
Pas protestës te ARRSH, banorët janë zhvendosur para dyerve të Bashkisë së Tiranës, ku kërkuan hartimin e një marrëveshje të re, ndërsa shprehen se pakti i propozuar nga autoritetet është i njëanshëm.
Një nga banoret, Laureta Nikolli, tha se IMT e ka gjobitur për ndërtim pa leje. Gjoba i është vendosur me 15 shkurt dhe ajo pretendoi se i është bërë për hakmarrje, ndërsa ka afat për të liruar banesën e saj deri më datë 22 shkurt (nesër, e martë) para e të shembet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.