Ka ndodhur

Shembet tarraca e një banese gjatë punimeve në Qerret, humb jetën pronari

Gazeta Si – Soleta e një banese është shembur në Qerret të Kavajës dhe ka zënë poshtë dy persona, ku njëri prej tyre, pronari i shtëpisë ka humbur jetën.

Dy personat janë transportuar menjëherë drejt spitalit, por 55-vjeçari me iniciale Sh.Sh., nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve.

Policia tha se rreth orës 13:15, në fshatin Qerret, ku është shembur tarraca e banesës së shtetasit Sh. Sh., rreth 55 vjeç, të cilin e ka zënë poshtë dhe shtetasin A.R., 27 vjeç (i punësuar nga shtetasi Sh. Sh.), të cilët po kryenin punime ndërtimi.

Shërbimet e Policisë dhe ato zjarrfikëse, të cilat kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, kanë bërë të mundur nxjerrjen nga rrënojat të të 2 shtetasve.

Shtetasi Shaban Shehi (pronari i banesës), për shkak të dëmtimeve, ka humbur jetën, ndërsa shtetasi A.R. është transportuar menjëherë në spital dhe po merr asistencë mjekësore, jashtë rrezikut për jetën.

Policia ka marrë dëshmitë e familjarëve sa i përket pjesës së pasme të banesës, ku edhe po punonin. Të dy ata janë banorë të zonës.

Ndërhyrja në pjesën e pasme të shtëpisë ka ndikuar edhe në shembjen e tarracës. Nga verifikimet e para flitet për një godinë të vjetër dhe të armotizuar. Kanë qenë familjarë të viktimës dhe fqinjët që kanë njoftuar zjarrfikësit. Është dashur të paktën 40 minuta ndërhyrje për të nxjerrë personat e mbetur nën rrënoja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë