Ka ndodhur

Reshjet e shiut bllokojnë ‘Rrugën e Arbrit’. Tre fshatra të izoluara në aksin Kukës-Shishtavec

Gazeta Si – Moti i keq dhe rrëshqitjet e dherave kanë bllokuar qarkullimin në Rrugën e Arbrit. Masivi i dheut i rënë prej afro 1 ore ka bërë që dhjetra mjete që ishin nisur drejt Tiranës të bllokohen në rrugë duke krijuar varg të gjatë makinash. E njëjta situatë është krijuar edhe në Byppas ku vargu i automjeteve është krijuar deri në Qafën e Murrizit.

Prej më shumë se një ore po punon një eskavator i firmës së ndërtimit të rrugës për pastrimin e saj.

Ndërkohë policia përmes një njoftimi për mediat bën me dije se shembja ka ndodhur në aksin rrugor Xibër-Qafë Murrizë, është shembur një masiv dheu dhe gurësh duke e bërë këtë aks të pakalueshëm.

Policia e vendosur në të dy anët e rrugës orienton drejtuesit e mjeteve që në raste emergjente të ndjekin aksin e vjetër.

Ndërkohë, 3 ditë pas shembjes, Ura e Shtrezës, pjesë e rrugës Kukës-Shishtavec ka bllokuar mbi 1500 banorë të fshatrave përreth.

Mësohet se firma mirëmbajtëse e rrugës Kukës-Shishtavec, ka bllokuar qarkullimin me vendosjen e blloqeve të betonin në dy anët e urës.

ARRSH pritet të hap një ‘by pass’ të rrugës së vjetër për lëvizjen e përkohshme të mjeteve, deri në ndërtimin e urës së re.

Në këtë rrugë paraqiten probleme të vazhdueshme edhe me shkëputjen e shkëmbinjve. Që prej të enjtes, fshatrat Novosej, Shishtavec dhe Turaj janë të izoluar.

Shkak është bërë rrëzimi i Urës së Shtrezës, pjesë e aksit rrugor Kukës-Shishtavec, si pasojë e amortizimit dhe reshjeve të shumta të shiut. Tre ditë pas rrëzimit, kjo është pamja që ofrohet.

Ndërkohë, një ditë më parë, si pasojë e reshjeve të dendura të borës mbeti e bllokuar për disa orë Bogë-Theth. Orteku që kishte bllokuar rrugën u hoq dhe qarkullimi nisi të kryhej pa problem.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë