“Shekspiri zbret në Vlorë” është festivali ndërkombëtar teatror që do të zhvillohet në qytetin bregdetar prej 9-13 nëntor.
Ashtu siç kuptohet dhe nga emri, ky festival do të sjellë shfaqje bazuar mbi krijimtarinë e dramaturgut të shquar britanik Uilliam Shekspir. William Shakespeare është ndër dramaturgët më të mëdhenj të të gjithë kohërave, poet dhe tregimtar i shquar, i cili e zhvilloi aktivitetin e tij letrar gjatë shekullit XVI në Britaninë e Madhe.
Festivali nis me shfaqjen teatrore “Masë për Masë” me regji të Altin Bashës. Kjo shfaqje vjen përmes interpretimit të aktorëve të Gjakovës e Prizrenit, mbrëmjen e datës 9. Kjo shfaqje do të pasohet nga “Dashuri shekspiriane” e Fakultetit të Artit Skenik të Universitetit të Arteve të Tiranës.
Në vijim për publikun do të vijë “Sonetet e Shekspirit” nga trupa e teatrit “Petro Marko” të Vlorës dhe me regji të të mirënjohurit Kristaq Skrami.
Vepra teatrore “Nata e dymbëdhjetë” nga teatri Metropol Tiranë do të jetë në skenë më 12 nëntor dhe në 13 nëntor do të vijë për publiku shfaqja “The Lost King” nga Teatro Pubblico Pugliese-Bari.
Ndër mbështetësit e këtij aktiviteti artistik janë Bashkia Vlorë, “Shakespeare Center” dhe teatri “Petro Marko”. (ATA)
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.