Mode

Shein, ana e errët e mbretit të modës së shpejtë / Punëtorë skllevër, pëlhura toksike dhe ndotje

Moda e shpejtë do të thotë “modë e shpejtë dhe me kosto të ulët”. Por sa e ulët? Kur një bluzë shitet 3 euro dhe një fustan 7 euro do të thotë se ka një “çmim” që po e paguan dikush tjetër.

Le të fillojmë me kostot e prodhimit: në Itali kostoja mesatare për orë në industrinë e tekstilit dhe të prodhimit është 27 euro bruto. Në Bullgari 5.4 euro, Rumani 6.9 në Lituani 9 (Sipas Eurostat). Në Kinë dhe Vietnam respektivisht është nga 4 në 3 dollarë ndërsa në Madagaskar dhe Myanmar është dy dollarë.

Prej vitesh, pothuajse të gjitha markat e mëdha kanë zhvendosur një pjesë të prodhimit të tyre në këto vende, duke përfshirë markat luksoze, të cilat ‘kujdesen’ për klientët e pasur.

Por të flasim për kompaninë që ka zënë 50% të tregut global të modës së shpejtë: Shein.

Rritja e menjëhershme e Shein

Shein u themelua në vitin 2008 me idenë e sipërmarrësit kinez Chris Xu: filloi me shitjen e bizhuterive online, por në pak vite u bë një nga platformat më të klikuara të modës në botë dhe në vitin 2020 arriti një xhiro prej 10 miliardë dollarë. Në nëntor 2021, kompania kishte vlerën e 30 miliardë dollarëve dhe sot i kalon 60, më shumë se Adidas, H&M dhe Burberry së bashku. Aplikacioni i tij, në maj 2022, ishte më i shkarkuari në Shtetet e Bashkuara, me 27 milionë shkarkime. Shein përdor një sistem algoritmesh dhe analizash të dhënash që zbulon tendencat në zhvillim në kohë reale, duke arritur kështu të prodhojë modele të reja në vetëm dhjetë ditë. Një ritëm i pakrahasueshëm krahasuar me konkurrentët si Zara, të cilat marrin mesatarisht pesë javë. Faqja ngarkon deri në 6000 produkte të reja në ditë, dhe në të njëjtën kohë merr ankesa të rregullta për plagjiaturë si nga dizajnerët e rinj, ashtu edhe nga shtëpitë e njohura të modës.

Në nëntor 2021, kompania kishte vlerën e 30 miliardë dollarëve dhe sot i kalon 60, më shumë se Adidas, H&M dhe Burberry së bashku.

Klientët e preferuar: Gen-Z

Një popullaritet i mbështetur edhe nga angazhimi i influencuesve dhe personazheve të famshëm që orientojnë konsumatorët drejt platformës, më së shumti Gen-Z. Po, brezi më i ndjeshëm ndaj çështjeve që lidhen me qëndrueshmërinë mjedisore dhe të drejtat e punëtorëve është edhe klienti më i madh i kësaj marke që nuk ka asgjë transparente: nga struktura e kompanisë deri te origjina e produkteve.

Dhe është e dobishme të dini se përpara se të mbërrijnë në gardërobën tuaj, një fustan ose një bluzë kalon nëpër proceset që po rendisim tani. Nga një raport i Bloomberg i vitit 2022, bluzat e pambukut të shitura nga Shein vijnë nga puna e detyruar e pakicës ujgure të Xinjiang. Ky rajon në Kinën veriperëndimore është një nga prodhuesit më të mëdhenj të pambukut në botë dhe pakica myslimane është persekutuar dhe shtypur në mënyrë skandaloze nga qeveria kineze për vite me radhë.

Shfrytëzimi i punëtorëve

Gazetari anglo-algjerian Imam Amrani arriti të hyjë me një kamerë të fshehtë në dy nga 700 fabrikat në Shein, në provincën kineze të Guangzhou. Punëtorët detyrohen të punojnë me turne 17 orë në ditë, me vetëm një ditë pushim në muaj dhe në kushte higjienike çnjerëzore. Ata duhet të prodhojnë 500 produkte në ditë dhe paga është 4 cent për kokë. Hetimi, i kryer në vitin 2022, u transmetua nga Channel 4. Përgjigja e Shein erdhi në qershor 2023 me organizimin e një udhëtimi me gjashtë influencues në një nga fabrikat e tij ku u shfaq një mjedis modern dhe i pastër, me vende pune të ndara, zona ngrënie dhe relaksi.

Pagesa e punëtorëve të fabrikave në vende të ndryshme.

Blogerët vlerësuan kompaninë në postimet e tyre, duke folur për punëtorët e lumtur, punën cilësore dhe etike. Të mbushur me kritika, disa prej tyre janë tërhequr tashmë. Blogerja Dani DMC e fshiu me shpejtësi videon në të cilën ajo lavdëronte kompaninë nga profili i saj, duke e zëvendësuar me një tjetër që kërkonte falje që nuk ishte informuar siç duhet.

Kostoja mjedisore kalon çdo limit

Mesatarisht, 2700 litra ujë nevojiten për të bërë një bluzë të vetme prej pambuku. Kjo sepse pambuku kërkon shumë ujë dhe prodhimi intensiv duhet ujitur. Pastaj janë proceset e prodhimit: ngjyrosja, tjerrja, mbarimi, dhe çdo fazë ka nevojë për shumë ujë. Procesi intensiv më pas kërkon plehra kimike dhe herbicide të cilat thithen nga toka dhe ndotin akuiferët. Ndërsa ngjyrat mund të çlirojnë aminat potencialisht kancerogjene. Për këtë arsye përdorimi i tyre në Evropë është ndaluar që nga viti 2002. Por Shein nuk prodhon në Evropë. Shumë nga produktet e saj janë sintetike dhe pëlhura me shkëlqim është shpesh rezultat i kimikateve toksike që kur ato përfundojnë në mjedis, dëmtojnë ekosisteme të tëra. Një raport i Bloomberg theksoi se produktet e Shein përmbajnë 95.2% mikroplastikë.

Gjitashtu, një hetim nga CBC Marketplace zbuloi se disa produkte Shein përmbajnë plumb dhe PFAS. Një xhaketë për fëmijë e testuar përmbante gati 20 herë më shumë se sasinë e plumbit që konsiderohet e sigurt nga Health Canada. Greenpeace ka raportuar gjithashtu se disa kimikate të përdorura në produkte tejkalojnë kufijtë ligjorë të BE-së. Dhe lëkura, në kontakt të zgjatur me këto substanca, i thith ato.

Mesatarisht, 2700 litra ujë nevojiten për të bërë një bluzë të vetme prej pambuku. Bluzat e pambukut të shitura nga Shein vijnë nga puna e detyruar e pakicës ujgure të Xinjiang.

‘Malet’ e mbetjeve dhe emetimet e CO2

Fondacioni Ellen MacArthur, një nga organet më të mëdha ndërkombëtare që operon në sektorin e ekonomisë së qëndrueshmërisë, është përpjekur të masë sasinë e veshjeve të hedhura dhe çdo sekondë një ngarkesë kamioni me pëlhura hidhet në një vendgrumbullim ose digjet. Çdo vit, 92 milionë ton mbetje tekstili gjenerohen globalisht, nga të cilat vetëm 15% riciklohen. Është fati i natyrshëm i produkteve të modës së shpejtë me çmime të ulëta: cilësi të ulët, qëndrueshmëri të ulët dhe që hidhen shpejt. Sa më i shpejtë të jetë cikli i konsumit, aq më i rëndë është ndikimi mjedisor. Moda, në përgjithësi, është përgjegjëse për 10% të emetimeve globale të karbonit. Dhe i gjithë zinxhiri i furnizimit të modës së shpejtë, nga rritja e lëndëve të para deri te përpunimi, prodhimi, transporti, shitja me pakicë dhe asgjësimi, kërkon energji dhe burime intensive.

Jo gjithçka është Shein

Të jemi të qartë: Shein është vetëm i fundit në listë dhe jo i vetmi përgjegjës për gjithë këtë. Prodhimi masiv nga markat e tjera të njohura të modës së shpejtë si Zara, H&M, Bershka dhe Pull and Bear gjenerojnë gjithashtu sasi të mëdha mbetjesh tekstili. Me kalimin e viteve janë denoncuar kushtet e tmerrshme të punës në fabrikat e këtyre markave dhe pagat e ulëta.

Strategjia e BE-së për një industri tekstile më të qëndrueshme

Rritja e modës së shpejtë e shtyu Komisionin Evropian, në mars 2022, të përcaktojë strategji për ta bërë industrinë e tekstilit më të qëndrueshme, duke nxitur përdorimin e pëlhurave që zgjasin më shumë, të cilat mund të riparohen dhe ripërdoren. Ja çfarë do të ndryshojë:

1) dizajni ekologjik: pëlhurat do të duhet të plotësojnë standarde më të larta për sa i përket qëndrueshmërisë;

2) informacion i qartë: konsumatorët do të kenë akses në detaje mbi origjinën dhe qëndrueshmërinë e produkteve nëpërmjet një “pasaporte dixhitale”;

3) angazhimi i korporatës: kompanitë inkurajohen të reduktojnë gjurmën e tyre të CO2 dhe të marrin vendime që respektojnë mjedisin dhe të drejtat e punëtorëve.

Dhe tani synon të eliminojë plotësisht kimikatet e dëmshme nga industria e tekstilit. Por, çka nëse blini online nga një platformë kineze që nuk respekton të gjitha këto udhëzime? Ndërsa presim rregullat globale, ne mund të rrisim vetëm nivelin e ndërgjegjësimit të konsumatorëve. Të mos kontribuosh në këtë cikël konsumi nuk do të thotë të shpëtosh vetëm veten. Shpesh mund t’i ndërroni rrobat pa shpenzuar shumë, mjafton të blini në tregun e dorës së dytë, i cili tashmë është i përhapur në shumë vende. Kjo gjithashtu mbështet ekonominë e qëndrueshmërisë me vepra, jo vetëm me fjalë. Në fund, është gjithmonë shuma e sjelljeve individuale të përditshme që mund të shkatërrojnë, ose shpëtojnë planetin.

Burimi: Corriere.it. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë