Drejtësia

Foto / Shefja e ISHP-së Silva Bino një orë në SPAK, nuk jep shpjegime pse u thirr

Gazeta Si – Shefja për Sëmundjet Infektive në ISHP, Silva Bino ka qëndruar rreth një orë mëngjesin e kësaj të marte në SPAK.

Pas daljes prej andej, ajo nuk dha detaje për mediat se përse u thirr nga prokurorët. Bino nuk pranoi të japë asnjë koment, por tha se ndodhej atje për një tjetër punë. “Isha për një punë tjetër, po ç’jeni ju kështu, nuk jam pytur për asgjë”, u shpreh Bino, duke refuzuar të shpjegojë për mediat.

Rreth orës 10:00 të mëngjesit, zyrtarja e ISHP-së ka hyrë e vetme në oborrin e SPAK dhe e ka kërkuar nga roja orientim për të hyrë në godinë.

Bino ka mbajtur pozicione të ndryshme në sistemin e shëndetësisë, përfshirë edhe kreun e Institutit të Shëndetit Publik.

Thirrja e saj në SPAK, vjen vetëm pak ditë pas arrestimit të Sekretares së Përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë, Joana Duro nën akuzën e korrupsionit.

Bashkë me të u arrestua edhe një zyrtare tjetër e ministrisë, Laureta Sheta, të cilat sipas akuzës, kanë marrë ryshfet për një tender.

Hetimi i udhëhequr nga prokurori Dritan Prençi, ka provuar se biznesmeni nga Lushnja që administron kompaninë e ndërtimit “Dricons”, Vladimir Topi ka paguar një shumë prej 3.3 milion lekë të vjetra tek sekretarja e Përgjithshme e ministrisë së Shëndetësisë, Joana Duro, me qëllim fitimin e një tenderi me vlerë 8 milion lekë të vjetra.

SPAK ushtroi kontrolle dhe në banesat e tyre, por nuk gjeti sende të paligjshme. Tenderi për të cilin thotë SPAK-u është zhvilluar në 22 maj dhe i gjithë fondi limit i tij ishte 805 mijë e 872 lekë.

Nga kjo llogari del se sekretarja e Përgjithshme e ministrisë, dyshohet se mori ryshfet 41 për qind të fondit limit të tenderit.

Fituesi, që është një kompani e themeluar në vitin 2015, dyshohet se u favorizua. Pas arrestimit të tyre, SPAK arrestoi edhe administratorin dhe inxhinierin e firmës “Dricons”, të cilët kishin paguar 330 mijë lekë ryshfet me qëllim për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga tenderi i zhvilluar në Ministrinë e Shëndetësisë e Mbrojtjes Sociale, me objekt “Lot 1 “Supervizim për rikonstruksionin e disa Qendrave Shëndetësore në qarqet Tiranë e Durrës”.

Një ditë më parë, SPAK vendosi masën e sigurisë “arrest në burg” për të dyja zyrtaret e MSH-së, Joana Duro dhe Laureta Sheta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë