Nga Megi Iskurti – Pa realizuar dot kurrfarë takimi të nivelit të lartë, Albin Kurti nuk mori pjesë në ditën e tretë të Konventës së Demokratëve. Saora ai u nis nga SHBA-ja drejt Kosovës dhe mëngjesin e së premtes u gjend në zyrë për të pritur në një takim 50 minutësh shefin e CIA-s, një nga figurat qendrore në administratën amerikane.
Mesazhi duhej t’i jepej në vetë të parë.
Sarajevë, Beograd dhe Prishtinë ishte trekëndëshi i vizitës së ambasadorit William Burns. Tre shtete që janë sfidë e diplomacisë amerikane, me jo pak konsekuenca të mundshme për sigurinë.
Mesazhet që ai përcolli, ndryshe nga deklaratat për media të qeverive të cilat ‘e shitën’ takimin si një ngjarje historike, u deshifruan kollaj mes rreshtash dhe kursit të ri të narrativës së udhëheqësve.
Sikurse shumë analistë dhe politologë të rajonit tashmë kishin paralajmëruar, vizita e tij nuk duhej të shihej në asnjë optikë pozitive porse si “një sinjal brenge”.
Ajo nuk u përngjan asfare llojit të vizitave të mëparshme amerikane në rajon. Drejtori i CIA-s rrallëherë shkon në misione të tilla dhe i shpall publikisht ato. Që ky tur nuk duhej të shihej si triumf, e treguan edhe burimet në Washington ndërsa shpjeguan se përse është shmangur Zagrebi: “Kroacia nuk paraqet asnjë problem për zgjidhje në tryezën e Agjencisë së Inteligjencës Amerikane.”
Gjithaq një ish-diplomat, ngarkimi i Burns me këtë mision në një kohë kur po shërben edhe si këshilltar i lartë për Lindjen e Mesme dhe zgjedhjet amerikane janë në prag, lë të kuptohet se ka pasur informacione se diçka ka lëvizur keq në kuptimin e pasigurisë së rajonit.
Përse emëruesi i përbashkët i të gjithë vizitave janë vijat e kuqe?
E paralajmëruar. Kështu u raportua fillimisht në Bosnje-Hercegovinë vizita e William Burns të martën e 20 gushtit, pavarësisht se për një pjesë të gjerë të spektrit politik dhe institucional ishte një surprizë.
Sipas një zyrtari të qeverisë amerikane, Burns zhvilloi një sërë takimesh me drejtorin e Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Bosnje e Hercegovinës, Almir Xhuvo, dhe me anëtarët e Presidencës së Bosnjës, Denis Beqirovic, Zhelko Komshiç dhe Zhelka Çvijanoviçin, anëtaren serbe të sanksionuar nga SHBA-ja.
SHBA-ja ka sanksionuar kreun e entitetit të Republikës Sërpska, Milorad Dodik por edhe ish-kryeministrin e entitetit tjetër – Federatës së Bosnje e Hercegovinës – pastaj ish-kryeprokuroren e shtetit dhe ish-kreun e Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Bosnje e Hercegovinës, mes të tjerëve.
Referuar zyrtarit amerikan, retorika përçarëse dhe veprimet e presidentit të Republikës Serbe, Milorad Dodik, ishin fokusi i diskutimeve.
Ndonëse fillimisht nuk u duk kështu nga deklarata e ministrit të jashtëm Elmedin Konakoviçi i cili në vija të trasha e konsideroi shumë të rëndësishme vizitën e drejtorit të CIA-s, diskursi politik i ndryshuar i Dodik tregoi tjetërgjë.
Nuk u desh shumë, veçse disa orë më vonë, që ai të dilte me një deklaratë befasuese.
“Asnjëherë nuk kemi kërkuar shkëputjen e Republika Sërpskas” nga Bosnja e Hercegovina, tha shkurt në një postim në X.
Борба против тероризма је обавеза цјелокупног слободног свијета и у том контексту је значајна посјета директора ЦИА господина Вилијама Бернса БиХ.
— Милорад Додик (@MiloradDodik) August 21, 2024
Република Српска је посвећена тој борби и поздравља сваку сарадњу у тој области.
Република Српска никада није спорила суверенитет и…
Kjo ishte jo pak e habitshme për një lider i cili ka deklaruar vazhdimisht me kreshendo nacionaliste se qëndrimi brenda Bosnje dhe Hercegovinës për Republika Sërpskan është “sinonim i humbjes së kohës dhe mundësive” dhe sipas tij, tashmë ka mjaftueshëm pjekuri historike se kjo duhet të ndodhë.
Dodik është i njëjti lider i cili atëbotë, që në fakt nuk është më shumë se vetëm një muaj larg, deklaroi në margjinat e Forumit Ekonomik Ndërkombëtar në Shën Petersburg se vendimi për shkëputje ishte marrë dhe kishte mbetur vetëm shpallja e datës.
///
Vizita e Burns në Serbi thuajse kaloi në terr informativ. Ndonëse u mbajt shumë diskrete, mediat serbe raportuan se ai u takua në Beograd me presidentin serb Aleksandër Vuçiç.
Megjithatë, kjo vizitë as nuk u konfirmua dhe as u mohua nga zyrtarët në Serbi dhe Shtetet e Bashkuara.
Jo shumë larg pas raportimit se vizita në Beograd kishte përfunduar, Vuçiç zhvilloi një takim me vrik me Dodik në Serbi. Në njoftimin e kreut të shtetit serb në Instagram për këtë takim, mes të tjerash, u tha: “Takimi u dominua nga temat ekonomike, por bëmë edhe një analizë të përbashkët të çështjeve globale dhe rajonale”.
Analistët besojnë se vijat e kuqe për Bosnjen dhe Serbinë e kanë gjenezën tek mbështetja për Rusinë. Megjithatë, referuar tyre, Burns ka vënë ‘pikat mbi i’ edhe për çështje të tjera, disa prej të cilave lidhen edhe me Kosovën.
Serbia, e konsideruar si një dorë e zgjatur e Rusisë, i reziston presionit nga Perëndimi për t’i vendosur sanksione asaj, për shkak të pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës.
Beogradi refuzon edhe ekstradimin e të dyshuarve për organizimin e sulmit në Banjskë të Kosovës, shtatorin e kaluar, ndërkohë që bisedimet e tij për normalizimin e marrëdhënieve me Prishtinën kanë ngecur.
Dodik mbështet hapur presidentin rus, Vladimir Putin, me të cilin është takuar disa herë që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës. Bosnje e Hercegovina “u është bashkuar” sanksioneve të Perëndimit, por nuk i ka zbatuar ato, për shkak të kundërshtimit të përfaqësuesve politikë nga Republika Sërpska në Këshillin Shtetëror të Ministrave të Bosnjës, të kryesuar nga Aleanca e Social- Demokratëve të Pavarur (SNSD) e Dodikut.
Burns në Kosovë… me duar në xhepa
Pas takimit të së enjtes me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani, Burns të premten në mëngjes u pa drejt zyrës së kryeministrit Albin Kurti.
Ajo që ra në sy nga takimi i tyre ishte përshëndetja e pazakontë e Burns, me njërën dorë në xhep – një gjest që në disa gjuhë interpretimi bie në sy herë për një marrëdhënie informaliteti e shoqërore, e të tjera si simbol i një mosrespekti të fshehtë.
Në botë, një shembull i ngjashëm mund të shihet në vizitën e Burns në Moskë përpara pushtimit të Ukrainës. Në atë rast, Burns u dërgua për të dërguar një mesazh të qartë Vladimir Putinit – një lider i njohur për përdorimin e shërbimeve të inteligjencës për të forcuar pushtetin e tij brenda dhe jashtë vendit.
Vizita e Burns në Moskë kishte të njëjtën nuancë konspirative, ku loja e politikës së jashtme duhej të luhej më shumë në errësirë sesa në dritën e diplomacisë tradicionale.
Takimi me Kurtin zgjati diçka më pak se një orë.
Sipas njoftimit për media nga qeveria e Kosovës, në të ishte diskutuar me tërësej për gjithçka tjetër pos zhvillimeve të fundit që lidhen me këmbënguljen e Kurtit për hapjen e urës së Ibrit, veprim që sipas SHBA-së po lëkund partneritetin mes dy shteteve. SHBA e ka thënë se hapja e urës është e tepërt, sepse ngjarje të mëdha të tjera pritet që të ndodhin.
Pavarësisht se Kurti u përpoq të tregonte të kundërtën, duke e konsideruar vizitën si dëshmi të marrëdhënieve të forta Kosovë-SHBA, shumëkush nga radhët e diplomatëve nuk mendon kështu.
Profesori amerikan Edward P. Joseph zgjodhi ta përshkruajë vetëm me një fjalë: Fatkeqe! Në një intervistë për RTK, ai vlerësoi se vizita në Kosovë dhe disa shtete të Ballkanit e shefit të CIA-s, William J. Burns, nuk është një vizitë lumturie. Sipas tij, kjo vizitë është sinjal i brengës në Uashington lidhur me tensionet dhe potencialin e një lloj konfrontimi në Ballkan.
“Kjo nuk është një vizitë e lumtur, nuk është një lloj vizite e nivelit të Bill Clintonit, Hillary Clintonit, ndonjë sekretari, siç është sekretari Antony Blinken, ose diçka e ngjashme. Kjo nuk është diçka e mirë, sepse William J. Burns, për momentin është i përshirë shumë seriozisht në negociatat për ndaljen e luftimeve ndërmjet Izraelit dhe Hamasit dhe ky është top prioritet kryesor për administratën e SHBA-ve”, thotë ai.
Diçka e rëndë, pra, paska ndodhur që shefi i CIA-s të lërë tryezën botërore të negociatave dhe të zbarkojë në Ballkan!
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.