Projekti “100 fshatrat” ku fituesi i tij, Kuzhinieri Alfio Rrotani do të udhëtojë nëpër Shqipëri për të dokumentuar kuzhinën tradicionale shqiptare me anë të një menyje, është kthyer në një temë mjaft të folur ku deri më tani ka ‘munguar’ mendimi i kuzhinierëve për projektin, fituesin dhe ‘nevojën’ e këtij projekti për vendin tonë.
Kuzhinier Arvin Kita thotë për Gazetasi.al se çdo gjë varet nga menyja që do të bëjnë.

“Nëse kanë një rrugëtim shumë të gjatë për të bërë, për të lëvizur në të gjithë Shqipërinë dhe për të bërë menynë tradicionale të një vendi, atëherë ai që do ta bëjë duhet të ketë një bagazh të përcaktuar”, thotë shef Kita i cili tregon se bagazhi i personit varet nga vitet e punës dhe çfarë mundësish ka patur të njohë ushqimet tradicionale shqiptare.
Sipas tij, Rrotani nuk është mjaftueshëm i lidhur me tradicionalen.
“I parapriu kësaj gjëje me një emision që kishte të vetë financuar duke marrë një makinë dhe duke lëvizur gjithandej dhe kjo ishte diçka qesharake por ky ishte një gur i mirë për të plotësuar CV”, thotë Kita.
Kita shton se nëse do merresh për tradicionale shqiptare, “unë besoj se nuk duhet të përfshihet vetëm një person por disa persona”, jo në bazë të kontributeve por në bazë të njohurive që kanë, sidomos personat që kanë arkivë kulinare e cila është ajo që i mungon kuzhinës tonë, sipas Shef Kitës. “Arkiva kulinare nuk bëhet sot për sot. Ne nuk kemi një ushqim i cili mund të na përfaqësojë, që të themi se e kemi tonin”, duke përmendur këtu djathin feta të Greqisë apo djathin danez që “nuk ua merr dot sepse e kanë tyrin dhe njihen si të tillë në të gjithë botën”. Ne nuk kemi një djathë shqiptar dhe “nuk mund të bëhet duke bërë një projekt dhe duke dhënë lekë”.
Kita thotë se është abuzive për atë çmim që ka. “Edhe kompanitë e tjera që janë futur në garë për të fituar tenderin përsëri do ishte abuzive”.
Nuk ngrihet arkiva kulinare me një fond të tillë sidomos nga njerëz që nuk e njohin në aspektin e mirëfilltë profesional këtë gjë, sipas Kitës.
Ndërkohë shef Fundim Gjepali thotë për Gazetasi.al se një projekt i tillë i duhet vendit tonë por gjithsesi “duhet një skuadër ekspertësh që do të lëvizin në të gjithë vendin dhe nuk e bën dot një person i vetëm këtë gjë”.

Gjithashtu, Shef Gjepali shton se mirë është që për projekte të tilla të kishte një studim të mirëfilltë.
Por sipas tij, për aq kohë sa nuk kemi detaje më shumë, “dokumentimi se çfarë bëhet në 100 fshatrat është i nevojshëm. Nëse realizohet, është një e mirë për vendin tonë duke qenë se nuk ka diçka të dokumentuar se çfarë bëhet fshat më fshat dhe nëse do e shkruajmë në letër, brezat që vijnë do kenë diçka gati se si bëhej trahanaja tradicionale nëpër fshatra për shembull”, thotë Shef Gjepali.
Shef Miklovan Zeqo tregon për Gazetasi.al se pjesë e projektit duhej të ishte dikush që e njeh tradicionalen.

“Unë jam rritur jashtë dhe të më thuash mua hajde bëjmë një gjellë tradicionale shqiptare, nuk është se jam ekspert dhe mendoj se njësoj do të ishte për këdo që ka jetuar gjithmonë jashtë vendit”, thotë Shef Zeqo.
Ndërkohë, një kuzhinier i njohur shqiptar që nuk pranon të prononcohet me emër thotë për Gazetasi.al se “parimisht jam dakort, kur bëhet me ekspertë etnolog dhe kuzhinierë që kanë punuar më ushqime tradicionale”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.