Kosova

SHBA ultimatum për Asociacionin: Presim nga Kosova propozim konkret deri më 2 maj

I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar reagoi dhe njëherë për çështjen e Asociacionit për komunat me shumicë serbe, duke kërkuar nga qeveria e Kosovës një propozim konkret përpara takimit të 2 majit në Bruksel mes Kurtit dhe Vuçiç.

Sipas Zërit të Amerikës, zv/ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore tha se ka pasur përparim lidhur me këtë çështje dhe një evoluim të jashtëzakonshëm në qëndrimin e qeverisë së Kosovës dhe në veçanti të kryeministrit, për të pranuar këtë detyrim ligjor.

“Është një detyrim ekzistues në bazë të marrëveshjes së Brukselit dhe ishte shumë e vështirë për këtë qeveri dhe parti që ta pranonte si të detyrueshme. Por tani po e konsiderojnë si detyrim, janë pajtuar me të dhe kanë thënë publikisht se cila duhet të jetë korniza dhe parametrat e Asociacionit. Dhe ne pajtohemi me këto parametra”, tha Escobar.

Zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit tha edhe se Shtetet e Bashkuara do t’i njohin zgjedhjet e së dielës në veri të Kosovës edhe nëse Lista Serbe i bojkoton ato, duke thënë se bojkotimi nuk përcakton zgjedhjet.

“Ne u kemi bërë thirrje dhe unë personalisht u kam kërkuar serbëve, Listës Serbe, që të marrin pjesë dhe të mos heqin dorë nga roli që kanë. Fakti që nuk marrin pjesë, është vendimi i tyre. Por këto parashikohen nga Kushtetuta. Ka vende të paplotësuara. Ka njerëz që nuk po marrin shërbime nga pushteti lokal sepse nuk ka pjesëmarrje. Pra nëse këto zgjedhje janë të lira dhe të ndershme, dhe unë parashikoj që të jenë, rezultati do të jetë legjitim nga këndvështrimi ynë”, tha Escobar.

Më 23 prill, pritet të mbahen zgjedhje të jashtëzakonshme për kryetar të komunave të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit si dhe zgjedhje të parakohshme për dy kuvendet komunale, në Zveçan dhe Leposaviq.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë