Bota

SHBA, Trump padit BBC dhe kërkon 10 miliardë dollarë

Gazeta Si – Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka ngritur një padi për shpifje kundër transmetuesit britanik BBC, duke kërkuar 10 miliardë dollarë dëmshpërblim, raporton CBS News.

Padia, e ngritur në Distriktin Jugor të Floridës, përfshin një akuzë për shpifje dhe një akuzë për shkelje të ligjit të praktikave tregtare të Floridës. Ekipi ligjor i Trump kërkon 5 miliardë dollarë dëmshpërblim për secilën akuzë.

Në një padi prej 33 faqesh, avokatët e Trump akuzuan BBC-në për publikimin e një portretizimi “të rremë, shpifës, mashtrues, përçmues, nxitës dhe keqdashës” të presidentit në një dokumentar të transmetuar në Mbretërinë e Bashkuar një javë para zgjedhjeve të vitit 2024.

Një pjesë e dokumentarit u përqendrua në fjalët dhe veprimet e Trump në ditët para kryengritjes në Kapitol më 6 janar 2021.

Padia gjithashtu pretendon se BBC “qëllimisht dhe dhe në mënyrë dashakeqe, kërkoi të mashtronte plotësisht audiencën e saj”, duke montuar së bashku dy klipe të të njëjtit fjalim që Trump mbajti para mbështetësve të tij në Uashington.

Me padinë kundër BBC, Trump po e çon betejën e tij kundër medias përtej kufijve amerikanë. Në Shtetet e Bashkuara, presidenti prej kohësh i ka shpallur luftë medias, e ka etiketuar vazhdimisht si armik të popullit dhe ka nisur një sërë padish kundër “New York Times”, CBS dhe “Wall Street Journal” të mikut të tij Rupert Murdoch, nga i cili ka kërkuar 1 miliard dollarë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë