Vitin e kaluar, gjatë një udhëtimi për në Gjenevë, aty ku ka zyrat qendrore Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut dhe në fund të takimeve tha se kishte kërkuar reformimin e këtij organizmi të Kombeve të Bashkuara.
“Me keqardhje shohim sot se thirrjet tona për reformim ranë në vesh të shurdhër. Abuzuesit e të drejtave të njeriut vazhdojnë të shërbejnë në këtë Këshill, madje vazhdojnë që të zgjidhen në këtë këshill”, deklaroi ambasadorja amerikane në OKB, Nikki Haley.
Kjo deklaratë e ambasadores amerikane u bë fill pasi kishte njoftuar një vendim të beftë të administratës së Donald Trump, tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nga ky këshill.
Haley akuzoi këshillin për njëanshmëri dhe standarde të dyfishta.
“Shënjestron gjithmonë Izraelin në raportet e veta dhe harron shkeljen e të drejtave të njeriut në vendet e tjera të botës, madje mbron abuzuesit e shumëfishtë”, tha ajo.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres shprehu keqardhjen për këtë vendim të Uashingtonit.
“Duke parë përkeqësimin e gjendjes për të drejtat e njeriut në rajone të ndryshme të botës sot, SHBA duhej të ishte më aktive dhe jo të tërhiqej”, tha ai.
Si shembull se përse ky këshill ishte shndërruar në mbrojtës të despotizmit, Nikki Haley solli rastin e zgjedhjes së Republikës Demokratike të Kongos, si anëtare me të drejta të plotë në këtë organizëm.
“Këshilli nuk ka zhvilluar asnjë mbledhje për situatën në Venezuelë, pavarësisht se ky vend është edhe vend anëtar. As edhe një sesion për situatën në Iran dhe shtypjen e dhunshme të protestave atje nuk është zhvilluar. Si të mos mjaftonin këto, ky Këshill mirëpret mes anëtarëve Republikën Demokratike të Kongos, duke i vënë vulën perceptimit se nuk vlen më si institucion”, deklaroi ambasadorja amerikane.
Haley u ndal edhe tek ekzistenca e asaj që njihet si “Agjenda nr.7”, një pikë që thërret automatikisht për diskutim gjendjen në Bregun Perëndimor dhe në Gaza, duke e interpretuar si një pikër të pavlerë dhe që po përdoret nga shtete të caktuara për të hequr vëmendjen nga shkeljet e të drejtave të njeriut vendin e tyre.
Britania e Madhe shprehu keqardhje për këtë vendim të SHBA, ndërsa ministri i Jashtëm, Boris Johnson kërkoi reformimin e “Agjendës nr.7”. Por, ndryshe nga SHBA, Londra sheh si mundësinë më të mirë për të reformuar këtë Këshill qëndrimin në të dhe jo largimin.
“Nuk e kemi fshehur dëshirën dhe kërkesën tonë për ta reformuar këtë këshill, por jemi të vendosur që ta arrijmë këtë kërkesë përmes forcimit të rolit rolit dhe ndikimit tonë brenda këtij këshilli”, tha Johnson.
SHBA thotë se të gjitha vendet me të cilat ka kontaktuar brenda këtij Këshilli ndajnë mendimin e tyre, por nuk kanë guximin për të marrë një vendim drastik; tërheqjen nga ky organ.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.